Ai po e tregon. E ka shkruar. Dhe po e zbaton.
Fabula e bariut dhe ujkut ka edhe një mësim tjetër: sa herë mund të biesh në të njëjtin mashtrim para se ta kuptosh lojën?
Prej gati dy vjetësh Albin Kurti dhe Vetëvendosje po e mbajnë Kosovën në një cikël të pafund krizash, bllokadash dhe zgjedhjesh, ndërsa çdo herë përgjegjësinë për pasojat përpiqen t’ua lënë të tjerëve.
Por tashmë është gjithnjë e më e vështirë të besohet se kemi të bëjmë thjesht me rastësi apo me kriza që i imponohen Kurtit nga të tjerët. Pikërisht kjo është ajo që ai do politikisht: krizën, bllokadën dhe përplasjen e vazhdueshme, sepse në një situatë të tillë ai përpiqet ta paraqesë veten si të vetmen zgjidhje dhe të tjerët si fajtorë.
Dhe pikërisht këtu bëhet domethënës edhe dokumenti i Vetëvendosjes “Mbi organizimin politik”, ku flitet jo vetëm për marrjen e pushtetit, por për zëvendësimin e tij me “një lloj të ri të pushtetit” dhe madje për një “gjendje të jashtëzakonshme” si rrethanë për marrjen dhe mbajtjen e tij.
Pra, ajo që po ndodh sot nuk është e kundërta e asaj që Kurti dëshiron. Është pikërisht ajo që ai dëshiron: një gjendje të vazhdueshme krize politike, në të cilën institucionet bllokohen, kundërshtarët vihen nën presion dhe çdo krizë e re shndërrohet në instrument politik.
Herën e parë mund të mashtrohesh.
Herën e dytë mund të thuash se ende nuk e kishe kuptuar lojën.
Por nëse edhe herën e tretë hyn në të njëjtin kurth, atëherë nuk mund të thuash më se nuk e dije se çfarë po ndodhte.
Sepse pas dy vjetësh nuk mjafton më të thuhet: “Nuk e dinim se çfarë synonte.”
Ai po e tregon. E ka shkruar. Dhe po e zbaton.
Kosova nuk mund të mbahet pafundësisht peng i kalkulimeve politike të një partie apo të një lideri.