Verifikimi i pasurisë së paligjshme të zyrtarëve shtetërorë – i vështirë

Prishtinë | 24 Shk 2019 | 16:48 | Nga Ekonomia Online

Që nga themelimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, zyrtarët shtetërorë në Kosovë janë të obliguar që të deklarojnë pasurinë e tyre.

Mirëpo, procesi i deklarimit të pasurisë është kritikuar vazhdimisht nga shoqëria civile, për shkak se është thënë se zyrtarët pavarësisht se janë të obliguar të deklarojnë pasurinë, procesi nuk shërben në mënyrë efektive në luftimin e pasurisë së paligjshme.

Drejtoresha e organizatës “FOL”, Mexhide Demolli-Nimani, thotë se deklarimi i pasurisë është përcjellë me probleme të vazhdueshme.

“Duke parë këto mangësitë, shumë zyrtarë nuk janë marrë seriozisht me deklarim të pasurisë saqë në formularët e dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsion, kanë ndryshuar vetëm datën e dorëzimit. Për shembull, një zyrtar e deklaron një veturë të njëjtë me çmimin e njëjtë gjatë 5-6 viteve. Kjo s’ka logjikë kur e dimë një veturë për këto vite amortizohet dhe nuk mund të ketë çmimin e njëjtë qoftë dhe mbas një viti”, thotë Mexhide Demolli-Nimani.

Ajo thotë se deklarimi i pasurisë konsiderohet si një ndër aspektet bazë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, porse aktualisht, sipas saj, mangësitë ligjore e bëjnë të pamundur luftimin efektiv të pasurisë së paligjshme të zyrtarëve të lartë.

“Në Ligjin aktual për deklarimin e pasurisë, mangësitë kryesore janë kufizimi i kompetencave të Agjencisë Kundër Korrupsion në procesin e kontrollimit të pasurisë së deklaruar nga zyrtarët publikë, mosrregullimi i hetimit të origjinës së pasurisë, mungesa e konfiskimit të pasurisë së paligjshme si masë ndëshkuese dhe përkufizimi i qartë i personave të obliguar të deklarojnë pasurinë”, shpjegon ajo.

Organizata “FOL”, po ashtu kërkon që të zgjerohet lista e zyrtarëve, të cilët duhet të deklarojnë pasurinë duke filluar nga inspektorët, policët hetues dhe doganierët.

Se zyrtarët nuk e kanë marrë seriozisht procesin deklarimit të pasurisë në Agjencinë e Kosovës Kundër Korrupsion, thonë edhe në organizatën Demokraci për Zhvillim (D4D).

Hulumtuesi i politikave pranë kësaj organizate, Asdren Osaj, pohon faktin se zyrtarët e lartë publikë mund të kenë fshehur pasurinë dhe se nuk ka ardhur deri te një hetim efektiv i prejardhjes së asaj pasurie.

“Ligji aktual i jep në njëfarë forme kompetencë të përgjysmuar Agjencisë Kundër Korrupsion për hulumtim. Agjencia çdo vit e ka sipas rastit që i përcakton personat, të cilëve iu hulumton pasurinë e tyre. Ka pasur raste kur është bërë hetimi i pasurisë, por nuk kemi parë shumë raste konkrete që është marrë ndonjë masë, përveç disa veprimeve simbolike në konfiskimin e pasurisë ose deklarimin e asaj pasurie se pasi është fituar në mënyrë të dyshimtë”, deklaron Osaj.

Osaj thotë se Agjencia Kundër Korrupsion me mandatin aktual e ka të pamundur hetimin efektiv të pasurisë së deklaruar nga zyrtarët publikë.

Në mungesë të këtij mandati, sipas tij, AKK-ja mbetet e paaftë për të zbuluar deklarimet e rrejshme të zyrtarëve shtetërorë.

Qëllimi kryesor i procesit të deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion është që të identifikohen rastet e krijimit të pasurive të jashtëligjshme nga zyrtarët e lartë publikë në Kosovë.

Muajt në vijim, Agjencia Kundër Korrupsion do të fillojë procesin e publikimit të formularëve të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publikë për këtë vit.

Të ngjashme