Veseli: Blerand Kadrijaj simbol i gjeneratës së re dhe Forcës së Ndryshimit në Deçan

Prishtinë | 09 Tet 2017 | 15:40 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në një tubim elektoral në Deçan. Veseli ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës do të fitojë më 22 tetor, jo pse kjo është dëshirë e tyre, por sepse kjo fitore është vullnet i qytetarëve të Kosovës.

“Ne do të fitojmë, sepse askush më mirë se Partia Demokratike e Kosovës nuk u përgjigjet kërkesave të kohës dhe të qytetarëve. Ne jemi të sigurt në fitore, sepse kemi kandidatët më të mirë dhe më të dëshmuar për kryetarë të komunave dhe kuvende komunale. Edhe në Deçan ne kemi kandidatin më të mirë që i duhet Deçanit, frymës së ndryshimit të Deçanit, kemi Blerand Kadrijajn”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së u ka thënë qytetarëve të Deçanit se vizioni i Partisë Demokratike të Kosovës, forca e saj e ndryshimit, bazohet në gjithëpërfshirjen e grave dhe në gjithëpërfshirjen e të rinjve në udhëheqje të proceseve në vend, në shtet, shoqëri e biznes.

“Ne i besojmë lidershipit të grave. Ne i besojmë lidershipit të të rinjve. Të rinjtë kanë qenë dhe janë forca e parë e ndryshimit. Ishin dje të rinjtë që e bënë rezistencën kundër pushtuesit, që e çliruan Kosovën, që e bënë Kosovën të pavarur dhe sovrane. Janë sot të rinjtë që do të bartin barrën e zhvillimit të shpejtë ekonomik të Kosovës. Blerand Kadrijaj është simbol i kësaj gjenerate të re, prandaj ne jemi krenar që e kemi kandidat për Kryetar të Deçanit”, u shpreh Veseli.

I pari i PDK-së ka thënë se Deçani ka një potencial të jashtëzakonshëm për tu kthyer në një komunë zhvillimore, porse këtij potenciali i duhet një lidership i vendosur për ta kthyer në realitet dhe ky lidership qëndron në Partinë Demokratike të Kosovës, ky lidership është Blerand Kadrijaj, kryetari i ri i Deçanit.

Ndërsa, kandidati për Kryetar të Deçanit, Blerand Kadrijaj, ka thënë se i ka hyrë garës për Kryetar të Deçanit si profesionist dhe me profesionalizëm do ta qeverisë edhe Komunën e Deçanit.

Kadrijaj ka thënë se zhvillimi i turizmit, i bujqësisë, absorbimi i investimeve të huaja dhe zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme do të jenë prioritete të tij.

Ai ka thënë se do ta përkrahë edhe eksportin e prodhuesve të Deçanit, veçanërisht të prodhuesve bujqësorë, si dhe përmes krijimit të fondit për punësim do të krijojë vende të lira të punës për të rinjtë e Komunës së Deçanit.

Të ngjashme