Veseli: Kufijtë dhe territori i Kosovës janë të shenjta, nuk diskutohen

Prishtinë | 31 Gus 2018 | 13:23 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë të qartë qëndrimin e partisë së tij se kufijtë dhe territori i shtetit të Kosovës janë të padiskutueshme. Në një konferencë për medie, Veseli tha se deputetët e PDK-së do të jenë në seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për të treguar qëndrimin rreth kufijve dhe territorit.

“Ka të bëjë me dialogun dhe thirrjen e seancës së jashtëzakonshme nga opozita. Qëndrimi i PDK-së është shumë i qartë, jemi e vetmja parti që kemi dorëzuar dokumente me shkrim për qëndrimin tonë, për Kushtetutën tonë. Integriteti territorial i Kosovës është i shenjtë, është bazament për të cilin kemi luftuar. Në bazë të këtij territori kemi shpallur edhe pavarësinë. Mbi 110 shtete na kanë njohur si shtet i pavarur dhe sovran dhe kjo është e pakthyeshme”, tha Veseli, raporton Ekonomia Online.

“Çështja e marrëveshjes së asociacionit me kompetenca ekzekutive nuk do të ekzistoj. Do të ekzistojë asociacion i komunave vetëm në bazë të Kushtetutës”, theksoi Veseli.

“Thirrja e seancës për ndarje të territorit është seanca më e dëmshme. Legjitimiteti i ndarjes së territorit në institucione është e pa pranueshme. Ngritja e kësaj teme të rrezikshme brenda diskursit politik do ta dëmtoj dialogun”, shtoi ai.

I pyetur se a e përkrah idenë e presidentit për lëvizje të kufijve ai ka thënë se njerëzit e Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit janë të shkelur dhe ata duhet të trajtohen njëjtë siç trajtohen serbët në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

“Presheva e Bujanovci janë qytetarët më të shkelur. Ata duhet të trajtohen njëjtë si serbët. Kosova ka obligim që të jetë afër tyre dhe do të jemi. Ata janë duke vuajtur dhe meritojnë të jenë në Kosovë”, tha në fund Veseli.

Të ngjashme