Vetëvendosje dorëzon në KQZ kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë

Prishtinë | 26 Maj 2020 | 17:35 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje, dega e Podujevës, ka dorëzuar sot kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë gjatë muajit qershor.

Përmes një njoftimi për medie, është bërë e ditur se gjatë ditës së sotme, kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Bajram Ajeti ka dorëzuar kërkesën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Sot, kryetari i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, Bajram Ajeti, ka dorëzuar kërkesën dhe propozimin tonë për mbajtjen e zgjedhjeve me datën 14.06.2020”, thuhet në njoftimin e LVV-së në Podujevë.

Sipas tyre, tashmë janë krijuar kushtet për tu mbajtur zgjedhjet në këtë komunë, pasi tashmë ka një muaj që nuk ka pasur të infektuar me COVID-19 në këtë komunë.

“Pezullimi i zgjedhjeve komunale për kryetar komune është bërë me datën 14.03.2020, nga presidenti për shkak të parandalimit të përhapjes së coronavirusit. Situata e krijuar në vend e posaçërisht në komunën tonë ku nuk kemi asnjë rast aktiv të infektuar me COVID-19 mbi një muaj. Vlerësojmë se janë krijuar kushtet dhe rrethanat për t’u mbajtur zgjedhjet. Ne sot dorëzuam propozimin tonë dhe presim që KQZ-ja në koordinim me institucionet shëndetësore të caktojnë datën e zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.

Komuna e Podujevës kishte shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme, pasi ish-kryetari i kësaj komune, Agim Veliu e liroi postin e tij, meqë u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti.

Por, meqë situata me përhapjen e sëmundjes ngjitëse, COVID-19 filloi të përkeqësohej, presidenti i vendit, Hashim Thaçi pezulloi mbajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë. 

Të ngjashme