Vettingu – Komisioni miraton 25 draft-amendamente kushtetuese, do t’i dërgohen Gjykatës Kushtetuese për vlerësim

Prishtinë | 24 Shk 2023 | 12:41 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar është takuar me përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me progresin në hartimin e Projektligjit për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit kalimtar, raporton Ekonomia Online.

Pas prezantimit të raportit nga kryesuesi i grupit punues, Adnan Rrustemi, anëtarët e këtij komisioni miratuan draft-amendamentet kushtetuese për procesin e Vettingut.

“Janë diskutuar gjerësisht këto draft amendamente dhe më në fund po e paraqesim raportin përfundimtar”, u shpreh Rrustemi.

Ndërsa, kryetari i këtij komisioni, Kujtim Shala, tha se nevojiten 30 nënshkrime të deputetëve që këto amandamente t’i dërgohen Kryesisë së Kuvendit për ta futur në rend dite për miratim në Kuvend. Por ato, fillimisht do të dërgohen për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese se a janë në përputhje me Kushtetutën.

“Teksti i Kushtetutës tonë është shumë i qartë dhe besoj se edhe këto 25 amendemente që janë shtuar janë të qarta”, tha Shala.

Ndërsa, Rinor Hoxha, ekspert në Ministrinë e Drejtësisë (MD), tha se ky propozim e ka kaluar edhe testin e Komisionit të Venecias. Ai tha se MD është në proces të hartimit të Projektligjit për Vetingun dhe se deri në fund të javës së ardhshme një draft i këtij projektligji do ti dërgohet këtij komisioni.

“Ne paragrafin ku thuhet që vendimi i kolegjit të apelit është përfundimtar hyn në fuqi menjëherë dhe nuk mund të ankohet në gjykata e rregullat këtu, duhet të kihet parasysh që autoriteti i cili po krijohet me këto amendamente Kushtetuese është një lloj si Gjykate”.

“Për atë arsye kanë vendosur kritere që anëtarët e autoritetit duhet që të jenë jurist të shquar me integritet më të lartë, është e njëjta se këta kandidat për anëtarë të autoritetit  duhet ti plotësojnë kriteret e njëjta siç in plotësojnë kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë. Mendojmë që është e drejtë për me parashtruar ankesa të gjykata e rregullta. Ky propozim e ka kaluar edhe testin e Komisionit të Venecias”, tha ai.

Ndryshe, në këtë mbledhje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), të cilët para anëtarëve të Komisionit treguan edhe një herë qëndrimet e tyre se janë kundër vetingut përmes ndryshimeve kushtetuese.

Të ngjashme