“Vjen fillestar dhe i kërkon 500 euro rrogë”, gastronomi tregon kërkesat e punëtorëve pas liberalizimit të vizave

Prishtinë | 24 Jan 2024 | 23:31 | Nga Ekonomia Online

Sektori i gastronomisë prej një kohe të gjatë po përballet me krizë të punëtorëve.

Gastronomi Veton Zuka thotë se kriza e punëtorëve ka filluar qysh pas periudhës së pandemisë.

Ai megjithatë thotë se një krizë më të madhe do të ndjehet në sektorë të caktuar të gastronomisë.

“Kuzhina do të përballet me krizën më të madhe. Kemi mungesë të kuzhinierëve. Shërbimi mund të kompensohet disi, pasi mund të shkurtohet numri i kamarierëve apo të kalohet në formën ”vetëshërbim””, tregon ai në TV Dukagjini.

Gastronomi thotë se ka pasur keqtrajtim të punëtorëve në gastronomi, por që sipas tij kohëve të fundit kërkesat e punëtorëve sidomos për paga nuk janë të arsyeshme.

“Sa herë që kemi nevojë për punëtorë shpallim konkurset për pozitat që na nevojiten. Dhe gjatë intervistimit për një pozitë kamarieri apo shankisti më ka ndodhur që kërkesa ka qenë e lartë. Unë e di sa mundemi ne si kompani të ofrojmë, por e kam pyetur sa është pritja juaj për pagë, më tha “500 euro”. Ishte djalë i ri dhe e i kërkova arsyetim pse 500 euro pasi kishte vetëm tre muaj përvojë. Më tha “po kam dëgjuar se tash kështu po japin paga””, rrëfen gastronomi.

Ai tha se ka kamerierë që edhe 700 euro paguhen por sipas tij ai i di “700 lloje të verërave, apo njeh të gjithë përbërësit në një ushqim”.

“Kërkoj kuzhinierë, më vjen zëvendës-kuzhinier. Kërkon pagë 700 euro sepse ka dëgjuar se aq po shkon. Është problematike sepse ne kemi nevojë. E bëjmë një test 5 ditor dhe e shohim që nuk është askund. Ne me gjithë qejf i pranojmë që edhe të mësohen, por paga duhet të jetë ndoshta përgjysmë dhe duhet kohë për ta arritur atë pagë me përvojë”, ka treguar ndër të tjera Veton Zuka.

Të ngjashme