Deputetët kanë miratuar shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Plotësim ndryshim të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ky Projektligj është miratuar me 65 vota, 3 kundër dhe 2 abstenime.
Para votimit, deputetët debatuan mes vete për shkak se grupi opozitar VV kundërshtoi votimin e Shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Plotësim-Ndryshim të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës me arsyetimin se kryeparlamentari ka bërë gabim gjatë prezantimit dhe deputetët kanë votuar diçka tjetër.
“Nganjëherë po shoh që sa më korrekt aq më abuzues sjellja. 2 milionë qytetarë e kanë parë, por për shkak të idhnimeve dhe inateve po humb edhe koncentrimi. Ftoj regjinë ta sjell nga procesverbali pastaj do procedoj në bazë të rendit”, tha Veseli.
Derisa Fitore Pacolli nga VV-ja kërkonte që ky Projektligj të votohej sërish, Veseli i përgjigjet se nuk do ta dëgjoj.
“Zonja Pacolli jeni shumë e fuqishme, por me qenë edhe më e fuqishme nuk e kam ndërmend me të dëgju me respektin për ty”, iu përgjigj Veseli.
E deputeti Sami Kurteshi tha se kjo po bëhet vetëm sepse Projektligji përfshin gjykimin më mungesë që është propozuar nga Vetëvendosja.
“Problemi është i natyrës politike e jo teknike. Është plotësim-ndryshim i kodit të procedurës penale që parasheh gjykimin në mungesë që e ka propozuar LVV”, tha ai, raporton EO.
Veseli lexoi raportin nga procesverbali çka bëri që seanca të vazhdonte me votimin e pikave të tjera.
“Në ora 12:08 kemi votuar amendamentet në këtë Projektligjin për Plotësim-Ndryshim të Kodit të Procedurës Penale. Për kanë votuar 41, kundër 1, abstenim 10. Në 12:20 ka dalë shqyrtimi i parë i projekt kodit dhe kemi votuar për”, tha Veseli.