Vrasja e 18-vjeçares në Ferizaj, Prokuroria thotë se ajo u keqtrajtua për motive të ulëta

Prishtinë | 23 Gus 2021 | 10:15 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se lidhur me rastin e vdekjes së 18 vjeçares në Ferizaj, me vendim të prokurorit, është ndaluar një person i dyshuar, me inicialet A.S., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit, se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Ndërsa, i dyshuari tjetër D.K., që gjendet ende në arrati, dyshohet se për motive të ulëta, ka keqtrajtuar fizikisht tani të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë dhe vdekjen e saj e kanë konstatuar mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku me ç’rast i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë””, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së të gjitha rrethanave të ngjarjes.

Të ngjashme