Vuçiq falënderues ndaj Amerikës për angazhimin në qetësimin e tensioneve në veri

Prishtinë | 07 Qer 2023 | 15:17 | Nga Ekonomia Online

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për siç tha angazhimin dhe mesazhet e qarta në qetësimin e tensioneve në veri të Kosovës.

Sipas një njoftimi të presidencës serbe, pos këtij falënderimi gjatë një takimi që pati me shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së, gjeneralin Daniel Hokanson, Vuçiq foli edhe për forcimin e mëtejshëm të partneritetit, miqësisë dhe besimit ndërmjet forcave të armatosura të Serbisë dhe SHBA-së, transmeton Klankosova.tv.

Vuçiq ka theksuar se Serbia, duke ruajtur neutralitetin e saj ushtarak, është e gatshme të përmirësojë bashkëpunimin e partneritetit me ushtrinë amerikane për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.

Më tej thuhet në një njoftim se gjenerali Hokanson ka falënderuar Vuçiqin për udhëheqjen e tij në një situatë të vështirë “pa të cilën do të rrezikohej paqja dhe stabiliteti në rajon”, transmeton Klan Kosova.tv.

Ai gjithashtu theksoi kontributin e madh të Forcave të Armatosura të Serbisë në misionet paqeruajtëse në botë.

Të ngjashme