Vuçiqi për Rezolutën e Srebrenicës: Më shumë se dy të tretat e banorëve të botës ishin me ne

Prishtinë | 23 Maj 2024 | 20:54 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, theksoi se rezultati i votimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Rezolutën për gjenocidin e Srebrenicës ishte një befasi dhe habi e madhe për shumë në sallë, sepse në fund 87 vende ishin me Serbinë.

Ai tha se “këso fitoreje” nuk mund të kenë as “amerikanët apo rusët” në shumë tema.

“Më shumë se dy të tretat e banorëve të botës ishin në anën tonë”, nënvizoi Vuçiqi në një deklaratë për gazetarët.

Ai falënderoi veçanërisht Kinën, Federatën Ruse, Emiratet e Bashkuara Arabe, por edhe Hungarinë, e cila ishte e vetmja në rajon që ishte kundër Rezolutës.

Ai falënderoi grekët, qipriotët dhe sllovakët, të cilët, shtoi ai, “guxuan të përmbahen dhe treguan miqësi ndaj serbëve”.

Vuçiqi gjithashtu falënderoi shumë vende afrikane.

Sipas tij, ishin “të paktën tre vende që u detyruan të ishin bashkësponsorë dhe në fund abstenuan”.

Ai theksoi se ata që e planifikuan gjithë këtë, që bënë gjithçka për t’i bërë ndarjet më të mëdha dhe për ta poshtëruar Serbinë, po e bënin gabim.

“Besoj se e kemi ndriçuar fytyrën e vendit tonë, kështu kur të bëjmë gjithçka së bashku mund të krijojmë edhe mrekulli. Një përshëndetje e veçantë për popullin tonë në Kosovë e Metohi, për serbët në RS dhe në Mal të Zi. Kjo ishte hera e parë që një rezolutë nuk miratohej unanimisht. Është domethënëse që ishte 84 me 107, sepse 20 prej tyre thanë u larguan nga salla. 107 vende nuk donin të pajtoheshin me rezolutën e tyre. Për të mos thënë se si arriti numri në 84, nëse nuk do të kishte presione 60 nuk do ta kishin votuar”, shpjegoi ai.

I pyetur për fatin e tij politik, Vuçiqi ka thënë se sonte e ka përfunduar karrierën në OKB.

“Nuk do të më falin për shumë gjëra dhe kjo ishte gozhda në arkivol. Ata bënë gjithçka për të na poshtëruar dhe ne u ngritëm në lartësi. Ne njerëzit tanë i ngritëm në lartësi. E patë kënaqësinë e familjeve të viktimave serbe që duartrokitën, me krenari ngritën flamurin serb”, tha ai.

Vuçiqi tha se Serbia nuk do ta harrojë kurrë ndihmën e miqve të saj.

Ai theksoi se do të bisedojë me boshnjakët në Serbi.

“Ne kemi një vend, Serbinë tonë, dhe duhet ta ndërtojmë së bashku dhe të jetojmë së bashku. Edhe pse shumë serbë do të ndjehen keq për vendimin që u mor nga një joshumicë, boshnjakët do të pendohen që shumica ishte në anën tjetër. Ne duhet të luftojmë së bashku për të ardhmen tonë nga nesër”, nënvizoi presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq. 

Të ngjashme