Vuçiqi takon Merkelin, flasin edhe për taksën ndaj mallrave serbe

Prishtinë | 11 Nën 2018 | 10:55 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar mëngjesin e sotëm në Paris me kancelaren gjermane, Angela Merkel, takim të cilin e kishte paralajmëruar ditë më parë.

Merkeli, sipas gazetës serbe “Blic”, ka porositur se dëshiron të ndihmojë që në rajonin e Ballkanit Perëndimor të mbretërojë paqja dhe stabiliteti.

Vuçiqi e Merkeli u takuan në prag të ceremonive solemne të organizuara me rastin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore në Paris, ndërsa takimi, ka zgjatur rreth 1 orë.

Vuçiqi thuhet ta ketë njoftuar Merkelin në lidhje me dialogun me Kosovën, sikurse edhe për masën ekonomike të vënë ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës. Ai ka theksuar se nuk e kupton kur dikush në mënyrë të papërgjegjshme shkel marrëveshjet e arritura dhe me të prish bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal.

Ata kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale, për bashkëpunimin ekonomik, situatën në rajon dhe për integrimet evropiane të Serbisë.

Merkeli ka përshëndetur rezultatet ekonomike të Serbisë dhe ka shtuar se dëshiron të ndihmojë që në rajonin e Ballkanit Perëndimor të ruhet paqja dhe stabiliteti.

Të ngjashme