Komuna e Vushtrrisë ka hapur të premten edicionin e festivalit tradicional “Ditët e Diasporës”, i organizuar për nder të bashkatdhetarëve që kanë ardhur për pushime në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Në ceremoninë hapëse, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, u uroi mirëseardhje mërgimtarëve dhe i falënderoi për kontributin e tyre ndër vite për Kosovën.
Idrizi tha se festivali do të sjellë program të pasur artistik me interpretimet e Ansamblit “Hasan Prishtina”, si dhe të këngëtarëve Besiana Mehmeti e Shkodran Tolaj, ndërsa edhe në ditët në vijim do të ketë artistë të estradës kosovare.
“Mirë se erdhët në këtë mbrëmje të bukur, në hapjen e festivalit, tani më tradicional, Ditët e Diasporës.
Që ky festival, me të gjitha ato këngë e valle, të cilat do t’i interpretojnë artistët e ansamblit ‘Hasan Prishtina’, bashkë me dy këngëtarët e njohur Besiana Mehmeti dhe Shkodran Tolaj, dhe në ditët në vijim prapë do të kemi këngëtarë nga estrada e Kosovës enkas për t’i respektuar bashkatdhetarët.
Kur kemi artistë në skenë, ne nuk do ta zgjasim shumë, por edhe unë po ju me thënë nga zemra: mirë se erdhët bashkatdhetarë! Faleminderit shumë për të gjithë kontributin që keni dhënë në të gjitha etapat për Kosovën, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e sot po e jepni për zhvillimin e Kosovës!
Mirë se keni ardhur në qytetin e bukur të Hasan Prishtinës, në qytetin antik të Vushtrrisë! Mirë se keni ardhur në vendlindjen tuaj! Ju jeni pjesë e familjeve tona, të cilët gjumin e bëni anë e kënd botës, ndërsa ëndrrat i shihni në Kosovën tonë, në vendlindjen tonë”, tha Idrizi.
