VV: Antikushtetuese e pazar emërimet në AKI, do t’i korrigjojmë

Prishtinë | 25 Nën 2019 | 17:27 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një reagimi për media, ka thënë se “sot u njoftuam nga mediet për pazarin e ri të Thaçit e Haradinajt në kurriz të shtetit”.

“Sa më shumë afrohet dita e largimit të PAN-it nga pushteti, aq më shumë po dalin në pah fijet që i mbajnë lidhur. Thaçi e mori drejtorin e AKI-së e Haradinaj e mori kryeinspektorin”, thotë Vetëvendosje në reagimin e vet.

Kjo parti thotë se propozimi nga Haradinaj dhe dekretimi nga Thaçi për të dy këto pozicione është përveç të tjerave dhe antikushtetues.

“Në dy drejtime, sepse ish-kryeministri s’mund ta ushtrojë këtë kompetencë e Presidenti s’mund të dekretojë propozime nga një ish-kryeministër. Propozimet janë po ashtu emërime politike. I pari, ish-vartës i Hashim Thaçit në MPJ, u emërua si drejtor i AKI-së pasi që dështoi t’i mbrojë numrat e Z-mobile nga pozitat e drejtorit të bordit të ARKEP-it. I dyti u emërua kryeinspektor pasi dështoi të bëhej deputet i AAK-së, i cili mbahet mend për ankesat e tij rreth vjedhjes së votave që iu bënë nga brenda subjektit të tij. Duket se ky emërim ishte dhe rehatimi i tij”, thuhet në njoftimin për media të LVV-së.

“Sigurisht që me t’u konstituuar institucionet ky vendim antikushtetues do të adresohet për këtë shkelje të rëndë e paprecedentë. Ditët e abuzimeve të PAN-it kanë mbaruar, po ashtu edhe mundësitë e tyre për ta rrënuar më tej rendin kushtetues”, thuhet në fund të njoftimit.

Të ngjashme