VV e LDK “e lexojnë” ndryshe raportin e DASh-it – Selmanaj thotë se kjo është qeveria më jotransparente në histori, Pacolli fajëson sistemin e drejtësisë

Prishtinë | 25 Mar 2023 | 10:37 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë këndvështrime të ndryshme për raportin e DASh-it, në të cilin, mes tjerash, janë përmendur korrupsioni, mungesa e transparencës së Qeverisë e cenimi i lirisë së medieve, raporton Ekonomia Online.

Sipas deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ky raport ka bërë vlerësim pozitiv për punën e Qeverisë në vitin e fundit. Ajo, për EO, thotë se ky raport, ndër tjerash, flet edhe për veprime pozitive të ndërmarra ndaj korrupsionit.

Ndërsa, për dukurinë e korrupsionit në Kosovë, Pacolli ka fajësuar sistemin e drejtësisë.

“Raportin e kemi vlerësuar në detaje dhe e kuptojmë që raporti ka bërë vlerësim pozitiv sa i përket punës së kësaj qeverie në vitin e fundit. Raporti flet për veprime pozitive nga ana e qeverisë për identifikimin, ndjekjen, hetimin e rasteve ku zyrtarët bëjnë shkeljen e të drejtave të njeriut dhe këtu përfshihet edhe korrupsioni. Në anën tjetër, raporti vitin e kaluar  ka thënë se shumë zyrtarë publikë mbajnë poste në sektorin publik, pra në dikasteret e qeverisë janë të korruptuar. Ndërsa, tani kjo është ndryshuar”.

Tutje, Pacolli thotë se raporti nuk flet vetëm për pozitat e larta në Qeveri, por për të gjithë sektorin publik e se korrupsioni është më së shumti shkak i dështimit të sistemit të drejtësisë.

“Kur raporti flet për qeverinë duhet që ta kemi parasysh që nuk flet vetëm për pozita të larta, pra të emëruar politik. Raporti flet në përgjithësi për sektorin publik, pra për zyrtarët publikë që punojnë nëpër dikastere të ndryshme të ministrisë. Raporti po ashtu përmend rastet korruptive, viteve të kaluar, e kemi rastin e ish ministrit të Bujqësisë, Rikallo dhe tetë zyrtarët e tjerë dhe këtu është sistemi i drejtësisë i cili nuk ka arrit akoma që të del me një vendim që nga viti 2019. Pra, në përgjithësi kur flitet për mos veprim në mos luftimin e korrupsionit, flitet për dështimin e sistemit të drejtësisë”, ka thënë Pacolli për EO.

E për të pasur sukses në luftën kundër korrupsionit, Pacolli thotë se duhet të ndodhë reformimi në sistemin e drejtësisë. Për ta bërë këtë, thotë se duhet Vettingu.

Ndërsa, për transparencën, Pacolli ka thënë se mundohen që t’i informojnë qytetarët e se të gjitha informatat janë të qasshme edhe në ueb faqet zyrtare.

“Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet tona që të reformojmë sistemin e drejtësisë, presim që përmes vettingut të bëjmë një reformë të thellë e cila do të përmirësojë edhe këto të gjetura. Duhet që këtë raport ta lexojmë në tërësi që të kuptojmë se cilat janë të gjeturat pozitive, dhe ta vlerësojmë se për cilët zyrtarë flet sepse tani në këtë raport flitet për zyrtarët e qeverive të kaluar jo për zyrtarët që tashmë janë në qeveri. Lidhur me transparencën, prapë lidhet me sistemin se si funksionojnë ministritë. Në shumicën e rasteve mundohemi që t’i informojmë qytetarët, t’i informojmë gazetarët dhe të krijojmë qasje në dokumentet publike në përputhje me ligjin sa më shumë që të jetë e mundur. Ka vërejte që në disa raste nuk e marrin me kohë informatën, mirëpo në shumicën e rasteve prej qeverisë të gjitha informatat janë të qasshme në ueb faqe e ministrive dhe të qeverisë”.

Ndërsa, sipas deputetit të Lidhjes Demorkatike të Kosovës, Driton Selmanaj, nuk nevojitet asnjë raport ndërkombëtar për ta treguar gjendjen e institucioneve.

Ai ka thënë për EO se Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet duke promovuar idenë se do ta luftojnë krimin dhe korrupsionin, por se ka ndodhur krejtësisht e kundërta.

Selmanaj foli edhe për mos transparencën e Qeverisë, duke thënë se Kuvendi është i fundit që njoftohet për zhvillimet e vendit, sidomos për procesin e dialogut.

“Një gjë duhet ta dimë, nuk është që duhet të presim raporte ndërkombëtare për të vlerësuar gjendjen e institucioneve tona, kjo është evidente. Kjo qeveri ka ardhur në pushtet me promovimin ose me idetë që kjo është qeveri e shpresës, këta do ta luftojnë krimin, korrupsionin, do të jemi të hapur me mediat. Dhe ne fakt po ndodh krejtësisht e kundërta, kjo qeveri unë mendoj që është qeveria me jo transparente qe ka njohur historia e Kosovës, sidomos nga pavarësia e këndej. Sidomos në procesin e dialogut, qeveria Kurti është krejtësisht jo transparente. Kuvendi është shndërruar në spektator të proceseve të mëdha politike, Kuvendi është i fundit që merr vesh se çfarë po ndodh dhe Kuvendi kur të vjen kryeministri e cakton kohën, thotë një orë, dy orë jam dhe më pas iki”, thotë ai.

Ai madje e ka quajtur qeverinë e tanishme “qeveri të korrupsionit”, teksa ka thënë se në këndvështrimin e tij ajo nuk ofron as shpresë e as perspektivë për vendin.

“Kjo është precedent që po ndodh që asnjëherë nuk ka ndodhur. Por, edhe në konteste të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, mendoj që këta janë të paaftë. Kjo qeveri është në kuptimin e paaftësisë dhe në kuptimin e shprehjes së vullnetit për të luftuar krimin dhe korrupsionin, sepse duhet thënë qartë, krimin dhe korrupsionin e lufton vullneti politik, në njërën anë, por edhe institucionet e rendit edhe ligjit. Dhe promovimi që kjo qeveri, se ne kur te vijmë e bëjmë këtë, e bëjmë këtë, dhe kur kanë hyrë aty e kanë parë që ky proces nuk shkon kështu dhe nuk mundet kështu, atëherë normalisht që vijmë në situata kur edhe të tjerët na tregojnë që keni bërë regres këtu dhe jeni qeveri e korrupsionit. Kjo është një qeveri që nuk ofron perspektivë për vendin, nuk është shpresë për vendin. Mendoj që vazhdimi i mëtutjeshëm i kësaj qeverie është kosto e madhe për njerëzit, kosto e madhe për shtetin, por nga ana tjetër nuk mund të shpresojmë që të tillët mund ta zhvillojnë vendin”, ka thënë ai, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme