VV-ja kërkon sqarime me shkrim për fshirjen e dokumenteve në PRIMS

Prishtinë | 11 Nën 2020 | 17:45 | Nga Ekonomia Online

Vetëvendosje ka kërkuar sqarime me shkrim në lidhje me çështjen e fshirjes së dokumenteve të prokurimit nga sistemi elektronik i Policisë së Kosovës, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

“Sot, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, znj. Fatmire Mulhaxha – Kollçaku, ka dërguar kërkesë për sqarime me shkrim lidhur me çështjen e fshirjes së dokumenteve të prokurimit nga sistemi elektronik i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Në media është raportuar se janë fshirë dokumente të rëndësishme të prokurimit nga sistemi i brendshëm elektronik i Policisë së Kosovës, PRIMS. Për shkak të fshirjes së këtyre dokumenteve raportohet se kanë filluar hetimet, kurse drejtoresha e Prokurimit në Polici ka dhënë dorëheqje”.

Sipas Vetëvendosjes është edhe më shqetësuese është fakti se bëhet fjalë për Policinë e Kosovës.

“Marrë parasysh faktin që një gjë e tillë ka ndodhur brenda Policisë së Kosovës, një institucioni detyrë e së cilit është pikërisht luftimi i keqpërdorimeve dhe veprimeve të jashtëligjshme, e bën një veprim të tillë shumëfish më shqetësues”, thotë VV.

“Nisur nga përgjegjësia që ka Ministria e Punëve të Brendshme, kemi kërkuar sqarime lidhur me këtë rast. Përkatësisht, a janë fshirë dokumente të prokurimit nga Sistemi i brendshëm elektronik i Policisë së Kosovës, PRIMS? Për çfarë dokumente konkretisht bëhet fjalë dhe me çfarë kontrata kanë të bëjnë këto dokumente të fshira? Poashtu, informacione të detajuara lidhur me funksionimin e Departamentit të Prokurimit në kuadër të Policisë së Kosovës, respektivisht sfidat dhe problemet me të cilat është përballur ky departament”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme