Vetëvendosje reagon për vdekjen e 45 vjeçarit në vendin e punës

Prishtinë | 06 Tet 2018 | 15:16 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për vdekjen e një personi 45 vjeçar, paraditen e sotme, në vendin e punës në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Një 45-vjeçar në lagjen Arbëria ka rënë nga lartësitë e ndërtesës në të cilën punonte dhe ka gjetur vdekjen. Për vitin 2018, mediat kanë raportuar edhe 8 raste të tjera vdekjesh në vendin e punës, pa përmendur këtu mbi 40 rastet e lëndimeve të regjistruara e shumë të tjera që nuk raportohen fare.

“Në vendin tonë vdekjet e punëtorëve në vendin e punës janë bërë të zakonshme, ndërsa, mbajtja e përgjegjësive dhe dënimet për fajtorët respektivë mbeten raste të rralla, aksidentale dhe jashtë të zakonshmes,” thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

LEXO Edhe: Vdes në vendin e punës 45 vjeçari, në lagjen ‘Arbëria’

Sipas tyre, qytetarët nuk duan vetëm punë, por punë me dinjitet.

“Vendi i punës në përgjithësi dhe punishtet e ndërtimit në veçanti po i ngjajnë gjithnjë e më shumë një kantieri skllevërish,” thuhet në ragim.

Sipas Vetëvendosjes ai ambient bëhet skllavërues kur:

  • Mungojnë inxhinierët e sigurisë, të cilët sigurohen që t’i përditësojnë punëtorët mbi rreziqet e mundshme dhe masat mbrojtëse përgjatë ditës.
  • Mungon kontrolli i shpeshtë dhe i rreptë nga inspektorët e punës, të cilët sigurohen që kompania po i kryen detyret ndaj punëtorëve dhe shtetit;
  • Mungojnë masat e ashpra ligjore dhe ekzekutimi i tyre rigoroz ndaj kompanive punëdhënëse, çka do të siguronte që kompanitë t’i kryenin të gjitha detyrimet ndaj punëtorëve dhe shtetit.

“Kosova ka nevojë për një ekonomi zhvillimore që hap vende pune, por edhe për një shtet social që mban anën e punëtorëve për të siguruar drejtësi dhe barazi. Vetëm shteti social mund të sigurohet që punëtori të gëzojë mirëqenie dhe të mos bie në statusin e skllavit,” thuhet në reagim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme