Xhelal Sveçla kërcënon presidentin: Zyrtarët që bëjnë thirrje për mos-zbatimin e vendimeve qeveritare i dënon ligji

Prishtinë | 24 Mar 2020 | 00:27 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesi detyrës i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se së bashku me të gjithë policët e Kosovës, do të garantojë që në Republikën e Kosovës askush të mos jetë përmbi ligjin dhe Kushtetutën.

“Thirrja e presidentit për mosdëgjueshmëri është shqetësuese. Zyrtarët që bëjnë thirrje për mos-zbatimin e vendimeve qeveritare, ligji i dënon”, ka shkruar ai në Facebook, në orët e pasmesnatës.

“Vendimi i qeverisë për masa dhe kufizim të lëvizjeve bazohet tek Neni 55 i Kushtetutës, paragrafi 1, dhe tek Ligji nr.02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse”.

“Prandaj, presidenti nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin”.

POSTIMI I PLOTË:

Mirëmbrëma të dashur qytetarë. Kërkoj falje që po ju drejtohem në këtë orë të vonë, por jam i detyruar të bëj këtë reagim.

Thirrja e presidentit për mosdëgjueshmëri është shqetësuese. Zyrtarët që bëjnë thirrje për mos-zbatimin e vendimeve qeveritare, ligji i dënon.

Vendimi i qeverisë për masa dhe kufizim të lëvizjeve bazohet tek Neni 55 i Kushtetutës, paragrafi 1, dhe tek Ligji nr.02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse.

Prandaj, presidenti nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin.

Qytetarët duhet të bashkëpunojnë dhe së bashku t’i zbatojmë masat, që ta fitojmë luftën kundër coronavirusit.

E ligji nr. 04/L-076 për policinë e sqaron se zyrtari policor është i autorizuar që përkohësisht t’ia kufizojë lirinë e lëvizjes personit në një zonë të caktuar ose ta orientojë lëvizjen e tij në një zonë tjetër, me qëllim që të sigurohet zona e caktuar për t’i arritur objektivat legjitime të policisë apo për t’i mbrojtur personat nga rreziku i përkohshëm. NJË PREJ OBJEKTIVAVE LEGJITIME TË PËRCAKTUARA SHPREHIMISHT NË LIGJ ËSHTË MBROJTJA E PERSONAVE NGA EPIDEMITË.

Si ushtrues detyre i Ministrit të Punëve të Brendshme, bashkë me të gjithë policët e Kosovës, do të garantojmë që në Republikën e Kosovës askush të mos jetë përmbi ligjin dhe kushtetutën.

I ftoj partitë politike dhe mediat, por edhe zyrtarët e lartë shtetërorë që, në kushtet e emergjencës të heqin dorë nga nxitjet kundër qeverisë e nga polarizimi i shoqërisë, sepse kjo nuk ndihmon. Coronavirusi është armiku i të gjithëve, mjaft ia drejtuam shpatat njëri-tjetrit.

Të ngjashme