Ymeri: Pakoja 200-milionëshe nuk kaloi për shkak të vonesës nga LVV

Prishtinë | 25 Pri 2026 | 19:20 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri ka reaguar ndaj akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me moskalimin e pakos prej 200 milionë eurosh gjatë seancës së sotme, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

Përmes një postimi në Facebook, Ymeri ka thënë se pretendimet se opozita po e bllokon këtë pako nuk qëndrojnë dhe se, sipas saj, ajo ka karakter më shumë elektoral sesa ekonomik.

“Informatë. Në lidhje me ankesën dhe rrenën e VV-së, se gjoja opozita po bllokon pakon 200 milionëshe, e cila thuhet se është për inflacionin, por në fakt është për fushatë”, thekson ajo,

Ajo ka theksuar se pakoja nuk ka kaluar për shkak të procedurave të parregullta dhe vonesës në procedim.

“Gjithsesi, Pakoja për ‘fushatë’ e VV-së nuk kaloi sepse u soll shumë vonë dhe pa procedurë të rregullt; përndryshe, ajo mund të kalonte edhe pa asnjë parti opozitare. Në fakt, nuk i kishin as 66 vota, sepse disa prej deputetëve të tyre mungonin, por këtë VV-ja nuk ua thotë”, u shpreh Ymeri.

Deputetja e LDK-së ka akuzuar pushtetin për, siç ka thënë, përpjekje për të fajësuar të tjerët për situatën e krijuar.

“Pra, ‘dhomat e linçimit’ po punojnë 24/7 për të fajësuar partitë e tjera, por qytetarët duhet ta pyesin VV-në: ku ishte deri sot? Pse nuk e solli pakon më herët, por vetëm tri ditë para afatit të zgjedhjeve?”, thotë ajo.

Ymeri ka kritikuar qeverisjen aktuale duke e lidhur atë me keqpërdorim të situatës ekonomike dhe, sipas saj, me përhapje të vazhdueshme të dezinformatave.

“Përfitimi nga varfëria e këtij vendi e ka karakterizuar prej kohësh këtë pushtet, por tashmë edhe rrenat për fajësimin e të tjerëve janë bërë si retë në qiell: çdo ditë, në çdo lloj forme e në çdo lloj ngjyre”, shtoi ajo.

Të ngjashme