Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik është bërë në Qesarat të Tepelenës, ku një ekspeditë e përbashkët shqiptaro-italiane ka nxjerrë në dritë mbetjet e një kompleksi luksoz të periudhës romake, të zbukuruar me mozaikë shumëngjyrësh dhe elemente të veçanta artistike.
Gjatë gërmimeve, arkeologët kanë zbuluar dysheme të dekoruara me mozaikë që paraqesin motive gjeometrike, figura njerëzore dhe ornamente të ndryshme. Krahas tyre, janë gjetur edhe fragmente të pikturave murale, të cilat dëshmojnë për nivelin e lartë artistik dhe arkitekturor të kompleksit.
Sipas vlerësimeve të arkeologëve, struktura i përket shekullit IV pas Krishtit dhe ofron të dhëna të reja mbi jetën, kulturën dhe organizimin e vendbanimeve në këtë territor gjatë periudhës romake.
Një nga gjetjet më të veçanta është figura e Erosit, hyjnisë së dashurisë në mitologjinë greke, e ruajtur në një prej mozaikëve, pavarësisht dëmtimeve të pjesshme që ka pësuar struktura ndër shekuj.
Arkeologu Silvio Fiorrelli e ka cilësuar zbulimin si një arritje të rëndësishme për njohjen e historisë së rajonit, duke theksuar se gërmimet kërkojnë kohë, përkushtim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm shkencor.
“Ky është një zbulim shumë i rëndësishëm për ne. Mozaikët dhe strukturat që kemi gjetur na japin informacion të ri për historinë dhe jetën në këtë territor në periudhën romake”, u shpreh Fiorrelli.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së studentëve shqiptarë në ekspeditat arkeologjike, si një mundësi për të fituar përvojë praktike dhe për të forcuar bashkëpunimin me studiuesit italianë.
“Është një projekt që kërkon kohë dhe shumë punë, ndaj shpresoj që në këtë ekspeditë dhe në kërkimet e ardhshme të na bashkohen edhe studentë shqiptarë. Do të ishte një mundësi shumë e mirë për ta, por edhe për vetë projektin, sepse bashkëpunimi mes studiuesve të rinj shqiptarë dhe italianë është shumë i rëndësishëm”, shtoi arkeologu.
Gërmimet janë zhvilluar në kuadër të projektit shqiptaro-italian “Arkeologjia e peizazhit në zonën Tepelenë-Memaliaj”, të realizuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Universitetin “Aldo Moro” të Barit dhe partnerët italianë.
Zbulimi i kompleksit romak në Qesarat përbën një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e trashëgimisë arkeologjike të zonës së Tepelenës, duke hapur mundësi të reja për studimin e historisë antike dhe zhvillimin e mëtejshëm të kërkimeve në këtë territor.