Zbulohet se cili ishte mesazhi i dy orëve të vendosura mbi tryezë në Bruksel

Prishtinë | 21 Nën 2022 | 18:51 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar sot në Bruksel ku ka zhvilluar takime me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të dërguarin special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak si dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimeve veç e veç që zhvilluan liderët e dy shteteve nga Ballkani Perëndimor me përfaqësuesit e BE-së, të katër ata kanë mbajtur edhe një takim të përbashkët, ku Kurti shihej i buzëqeshur, ndërsa Vuçiq i zymtë, shkruan Klan Kosova.

Më e pazakonshmja e këtij takimi ishte çasti kur gjatë takimit bilateral me Kurtin, Borrell edhe pse e kishte të vendosur në dorën e tij një orë, ai i nxori edhe dy tjera nga xhepat e tij dhe i vendosi mbi tryezë.

Sipas ekspertit të protokollit, Tomorr Avdiajt, vendosja e orëve mbi tavolinë ishte mesazh i Borrellit drejtuar Kurtit se koha po skadon.

”Takimi i sotëm në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, nën presionin e një kohe të limituar nga negociatori Borrell i cili kishte mbushur xhepat me kronometra orësh që ia bënte të qartë kryeministrit Kurti se koha po skadon”, tha ai për Klan Kosovën.

”Edhe në bisedën në hollin e korridoreve të selisë së BE-së, Borrell dukej shumë i tensionuar, kurse Kurti në imazh dhe në pamje të gjuhës së trupit dukej i qetë dhe shkëmbente fjalë me nuancë që ishte larg kompleksimit që zakonisht i marrin me vete zyrtarët shtetërorë para takimeve të tilla”.

Tutje, Avdia e ka parë sjelljen e Kurtit në këto takime si të matur dhe pozitive, ndërsa atë të Vuçiqit si të tensionuar.

”Kurse formati i takimit me treshen Borrell, Kurti dhe Vuçiq, ajo çfarë dukej qartë ishte se kryeministri Kurti shpaloste qetësi, siguri, maturi me buzëqeshjen që e ‘mbyste’ pamjen e Vuçiqit, i cili dukej jo vetëm i tensionuar, por edhe shumë i humbur që të linte të kuptonte se në çdo moment do të largohej nga dritaret dhe jo nga dera. E gjithë kjo duhet të shikohet në letër se kush do të jetë fituesi, Kurti apo Vuçiq dhe Borrell?”.

Edhe njohësi tjetër i protokollit, Haki Merovci, takimet në Bruksel nuk i ka cilësuar si profesionale duke thënë se nuk ka pasur protokoll të mirëfilltë.

”Buzëqeshja e kryeministrit Kurti është pasqyre e nivelit të kulturës-etikës në protokollin zyrtar. Pamja e zymtë e Borrellit më së paku ka të bëjë me etikë. Gjuha e trupit si disiplinë e protokollit flet shumë. Andaj vetëm Borrelli e di se çfarë mesazhi do të japë me ‘qehre’ të tillë. Kjo në protokoll është fenomen i rrallë dhe si i tillë është ‘incognito’”.

Sa i përket vendosjes së orëve mbi tavolinë, Merovci po ashtu ka thënë se ka qenë një mesazh i kryediplomatit të BE-së drejtuar shefit të ekzekutivit të Kosovës i llojit ‘merre ose lëre’.

”Edhe te vendosja e orëve mbi tavolinë, këtë gjuhë të trupit/ komunikimit jo verbal të Borrellit, unë e shoh si mesazh ‘mjegullie’ vetëm ai e din se çfarë donte të thoshte me këtë gjest fizik ‘merre ose lëre’?”.

”Në këtë takim më se paku ka pasur protokoll të mirëfilltë. Për më tepër, nuk është hera e parë e moskoordinimit të protokollit të BE-së me protokollet respektive të ambasadave të Kosovës dhe Serbisë. Duhet patjetër të ketë një agjendë me detaje relevante përkitazi me protokollin diplomatik – respektivisht me dizajnimin funksional të takimit”.

Pas takimeve, Borrell ka mbajtur një konferencë për media, ku ka theksuar se e ka bërë një propozim në mënyrë që të anashkalohet përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës, por sipas tij, të njëjtin propozim e ka refuzuar Kurti.

Të ngjashme