Zë mos nxirr dhe buzëqeshi pasqyrës

Prishtinë | 04 Mar 2023 | 18:26 | Nga Ekonomia Online

(Poezi nga Marjola Saliu)

Kur të të qëllojnë me shpullë fytyrës
zë mos nxirr
edhe buzëqeshi sërish pasqyrës
se ashtu je vajzë e mirë.

Kur të të helmojnë me ofendime
të t’fishkëllejnë të ngazëllyer si një bagëtie
ti shko rrugës e fjalë mos kthe
se çikave të mbrojnë veten
hiç s’ju ka hije.

Kur të ta nxijnë jetën aq shumë
sa për vdekjen ti lutesh çdo perëndie
ti prapë mos kërko ndihmë e mos klith
se vetem ashtu je vajzë shtëpie.

Kur zemra të jetë një pus me ankthe
edhe nëpër vena të mos ketë më pikë gjaku
ti prapë duro, hë vajzë e mbarë
se ne ashtu na e do konaku.

Kur të jesh e shtrirë përdhe
edhe fryma e fundit të të ketë mbetur
ti merre fajtorin me vete në atë botë
se në këtë tonën të preferojmë të vdekur.

Të ngjashme