Zëdhënësi i Qeverisë: Kurti ka biseduar në telefon me kryetarin e Deçanit, po bëjmë gjithçka

Prishtinë | 14 Kor 2021 | 10:57 | Nga Ekonomia Online

Përparim Kryeziu, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, ka arsyetuar vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Greqi, duke thënë se po merr pjesë në dy konferenca të rëndësishme, derisa në Deçan janë helmuar mbi një mijë persona.

Kryeziu përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Kurti ka marrë pjesë në këto diskutime edhe më herët dhe se shpenzimet mbulohen nga organizatori.

“Pas takimit të djeshëm me ministrin e Punëve të Jashtme, z.Dendias, kryeministri Kurti ka biseduar në telefon me kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Ramosaj dhe me ministrin e Shëndetësisë, z.Vitia më të cilin bisedoi gjersa ai po qëndronte në Deçan. Dje në Deçan ishin edhe Presidentja e vendit, znj. Osmani, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, z. Mehaj”.

Postimi i plotë:

Kryeministri i Republikës së Koovës, Albin Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi që nga data 8 korrik. Ai ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e panelit të diskutimit.

Fillimisht, me 9 korrik, kryeministri Kurti ishte pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga “The Economist” dhe Qeveria e Greqisë. Aktualisht, po merr pjesë në Simpoziumin SYMI.

Sivjet është hera e katërt që kryeministri Kurti po merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota ftohen bashkë me familjet e tyre. Edhe vitin e kaluar, sikurse sivjet, simpoziumi po mbahet saktësisht në të njëjtin vend, në Lagonissi afër Athinës, dhe edhe kësaj radhe bashkëshortja e Kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit. Shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga organizatori.

Gjatë qëndrimit në dy konferenca atje, kryeministri Kurti zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë qeveritarë dhe politikë, sikurse ai me kryeministrin e Greqisë, z. Mitsotakis, ministrin e Punëve të Jashtëm, z. Dendias, ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, z.Panagiotopoulos dhe liderin e opozitës, z. Tsipras, si dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, z. Schinas dhe politikanë e diplomatë nga rajoni dhe bota.

Pas takimit të djeshëm me ministrin e Punëve të Jashtme, z.Dendias, kryeministri Kurti ka biseduar në telefon me kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Ramosaj dhe me ministrin e Shëndetësisë, z.Vitia më të cilin bisedoi gjersa ai po qëndronte në Deçan. Dje në Deçan ishin edhe Presidentja e vendit, znj. Osmani, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, z. Mehaj.

Të helmuarve ju dëshirojmë edhe njëherë shërim të shpejtë. Po bëjmë gjithçka me të gjitha mundësitë, që së bashku të tejkalojmë këtë gjendje.

Të ngjashme