Deputeti i Nismas për Kosovën, Milaim Zeka tha se ka qëndruar në sallën e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht se koalicioni PAN bojkotoi seancën për shkak të raportimeve për një qasje diskriminuese të EULEX-it ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së.
“Në shenjë proteste pse PDK-ja e lëshuan seancën, unë në shenjë proteste qëndrova këtu për t’i thënë disa fjalë. Krejt piramida e krimit të EULEX-it që është bërë në Kosovë është bërë në koordinim me udhëheqësin e PDK-së”.
“Të nderuar qytetarë, në vitin 2012 përmes RTK-së kam transmetuar intervista të të burgosurve nga EULEX-i ku i burgosuri i rastit Kiqina tregon se si prokurori Salustro fyente të burgusorit shqiptarë por askush nuk ka reaguar. Krerët e PDK-së e kanë ditur se Salustro ka qenë kryeprokuror, në bashkëpunim me PDK-në dhe Beogradin”.
Sipas Zekës edhe vendimi për ngritjen e aktakuzës për Fatmir Limajn ishte marrë në bashkëpunim mes EULEX-it dhe PDK-së.
“Krerët e PDK-së e dinë se prokurorja e EULEX-it ka marrë vendim në një vilë në Brezovicë, në takim me krerët e PDK-së për t’ia ngritur aktakuzën kryetarit të Nismas, Fatmir Limajt”.
“E dimë se edhe BE-ja edhe institucionet ndërkombëtare, edhe SHBA-të po na thonë vazhdimisht se sistetmi i drejtësisë është i kapur nga mafia, për këtë duhet të diskutojmë. Ta thërrasim një seancë të jashtëzakonshme për punën e Prokurorisë, Gjyqësisë, pasi ata njerëz që kanë dënuar ushtarët e UÇK-së, pala shqiptare, sot janë në piramidat e drejtësisë së Kosovës”.