Zemaj: Përkundër sharjeve e linçimeve, kemi treguar shembull të demokracisë – Presim fitoren e madhe

Prishtinë | 07 Shk 2025 | 09:06 | Nga Hasan Hoti

Ndonëse jemi në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e bindur se do të qeverisë me vendin. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, kandidati i kësaj partie për deputet, Armend Zemaj.

Zemaj ka thënë se për një muaj fushatë zgjedhore, kanë takuar qytetarë për t’u prezantuar programin qeverisës. Sipas tij, LDK-ja ka treguar shembull të demokracisë këto ditë fushate.

“Është një atmosferë e mirë, pozitivitet, një fushatë e Lidhjes Demokratike të Kosovës që do të mbahet gjatë në mendjen e qytetarëve si një shembull i zhvillimit dhe avancimit të demokracisë, paraqitjes së programit, kandidatëve të mrekullueshëm të saj dhe kandidatit për kryeministër dhe qytetarët të cilët me dinjitet dhe përkushtim e kulturë të madhe kanë marrë pjesë në vazhdimësi në mbështetje kudo në çdo fshat e qytet. Jemi dy ditë para zgjedhjeve, presim fitoren e madhe, ndryshimin pozitiv për Republikën e Kosovës dhe ecjen e saj tutje aty ku e ka vendin meritor në pjesën e familjeve evropiane dhe integrimin euroatlantik”, ka thënë Zemaj.

Ish-deputeti i LDK-së për disa mandate, ka thënë se përkundër sharjeve e linçimeve nga partia në pushtet, këta të fundit kanë zgjedhur shpalosjen e programit. Linçimet e sharjet sipas Zemajt nuk janë pjesë e LDK-së.

“Ne jemi Lidhja Demokratike e Kosovës, ne jemi partia e presidentit historik Ibrahim Rugova, jemi partia që ka formuar shtetin e Kosovës, partia që vlerëson mundin dhe sakrificën dhe gjakun e gjithë dëshmorëve, andaj edhe gjuha jonë, kultura jonë i takon atyre që janë më meritorët. Duke u bazuar mbi këtë, ne nuk përdorim asnjë lloj linçimi, mbi të gjitha të gjithë jemi shqiptar, dallojmë nga programi polik, dallojmë nga puna e aftësia për me qeverisë për vendin, ndërsa ato sharje e fyerje le t’i mbesin në ndërgjegjen e gjithë atyre që pretendojnë me udhëheq me Kosovën dhe me qytetarët e saj”, u shpreh Zemaj.

Të ngjashme