Zëvendësministrja e Shëndetësisë: Në Kosovë s’ka raste të Lisë së Majmunëve, rreziku është i ulët

Prishtinë | 25 Maj 2022 | 14:15 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asnjë rast i dyshimtë për linë e majmunit nuk është regjistruar në Kosovë deri tash, megjithatë, institucionet shëndetësore kanë paralajmëruar se kanë nisur përgatitjet për përballje të mundshme me infeksionin, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në një konferencë për medie, thanë se në Kosovë nuk ka të infektuar dhe se rreziku për këtë sëmundje është i vogël.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, ka thënë se Kosova po monitoron masat që po ndërmarrin shtetet tjera që po përballem me këtë infeksion.

“Në bazë të të dhënave, nuk ka deri më tani person të dyshuar për këtë li. MSH-ja po e monitoron situatën dhe po përgatit rekomandime. Duke qenë se rastet e para janë konfirmuar në rajon e botë, rreziku që të përhapet edhe në Kosovë është eventual. Lajm të mirë përbën fakti që shpejtësia e përhapjes s’është sikur e COVID-19. Jemi duke shikuar masat që po ndërmerren nga shtetet tjera”, ka thënë Gexha-Bunjaku.

“Infeksioni tashmë i shfaqur në disa vende të botës, por në vendin tonë asnjë rast deri tani nuk është regjistruar dhe rreziku për popullatën e përgjithshme është i ulët. Ministria e Shëndetësisë me strukturat e veta po monitorin në vazhdimësi situatën, dhe po përgatit rekomandime për profesionistët shëndetësor dhe të tjerë”, tha ajo.

Gexha-Bunjaku tha se “jemi duke i studiuar masat të cilat po i marrin shtetet ku është shfaqur ky infeksion, si izolimi individual i rasteve të prekura dhe gjurmimi i kontakteve të tyre. Po e përsëris edhe një herë, të dhënat nga institucionet më relevante botërore tregojnë se përhapja e kësaj sëmundjeje është e ulët dhe, tash për tash, nuk ka raportim për përhapje me ajër, por kryesisht me kontakt direkt të afërt. Në vendin tonë deri më sot nuk është regjistruar asnjë rast me këtë sëmundje. Në IKShPK, tashmë kanë filluar përgatitjet, për porositë e testeve diagnostikuese për këtë sëmundje”.

Ajo tha se Ministria e Shëndetësisë bashkë me IKShPK është në gatishmëri dhe monitoron nga afër zhvillimet në rajon dhe më gjerë dhe qëndron në kontakt të vazhdueshëm me Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Me thirrjen për kujdes, zëvendësministrja Gexha Bunjaku theksoi se në bazë të dhënave epidemiologjike të deritanishme, rreziku për popullatën e përgjithshme është i ulët, pasi sëmundja zakonisht është e lehtë dhe vet-kufizuese, me përhapje relativisht të vogël.

“Qytetarët këshillohen që për çdo ndryshim në lëkurë ethe, dhimbje muskujsh, lodhje të paraqiteni sa më parë pranë mjekut familjar. Dhe të kujdesen që gjësendet personale deri në ekzaminim t’i mbajnë larg nga familjarët, të afërmit e miqtë. Gjithashtu të ndjekin udhëzimet e mjekëve në rast të skuqjes apo ndryshimeve të pazakonshme të lëkurës”, tha ajo.

E drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, tha se ekipet e epidemiologëve janë në gatishmëri të plotë në përcjellën e kësaj sëmundje dhe se janë të gatshëm në përpilimin e dokumentit të parë me rekomandime.

“IKSHPK-ja ka përcjell me vëmendje epidemiologjinë e lijës së majmunëve, duke pasur parasysh se kjo sëmundje e ka djepin ne Afrike. Ekipet e epidemiologëve janë në gatishmëri të plotë në përcjellën e sëmundjes. Kemi përpiluar dokumentin e parë me rekomandime dhe masa sa i përket lisë së majmunëve dhe do të përditësohet me të dhëna çdo ditë”, tha ai.

Sa i përket furnizimit me vaksina për një sëmundje të tillë, prof. Ramadani tha se vaksina ende nuk është e disponueshme për distribuim dhe ekziston në botë vetëm vaksina kundër Variola Vera që mbron edhe kundër lisë se majmunëve, kurse një agjent antiviral i zhvilluar për trajtimin e lisë është licencuar.

Të ngjashme