Zyrtarët e Ministrisë për Kthim i shfrytëzojnë veturat zyrtare për nevoja private

Prishtinë | 26 Qer 2018 | 08:52 | Nga

Pesë zyrtarë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim (MKK) i shfrytëzojnë veturat zyrtare 24 orë në ditë me një vendim të ministrit Dalibor Jevtiq.

Kjo sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA) për këtë ministri për vitin 2017, ndodh me gjithë faktin që këta zyrtarë nuk kanë punë specifike zyrtare 24 orë në ditë. Kjo është vetëm njëra nga parregullsitë që ZKA-ja ka identifikuar në raportin vjetor për MKK-në, shkruan sot Koha Ditore.

Pasuri të regjistruara që nuk i posedojnë në vlerë prej 325 mijë eurove, planifikim jo i duhur i projekteve kapitale, pozitë që jashtëligjshëm mbahet me ushtrues detyre, dobësi në zhvillimin e procedurave të prokurimit, mangësi në procedimin e pagesave si dhe mangësi në monitorim të subvencioneve, janë disa nga gjetjet e tjera të Auditorit për këtë ministri.

Për të gjitha këto, në raport thuhet se ministri Jevtiq nuk ka dërguar ndonjë koment ose vlerësim. “Ministri brenda afatit ligjor prej 15 ditëve kalendarik nuk ka konfirmuar nëse pajtohet apo ka komente në draft raportin e auditimit”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Përgjigje lidhur me raportin e auditimit si dhe gjetjet e tij, nuk ka kthyer për gazetën as zyra për media e kësaj ministrie.

Të ngjashme