MF njofton se mesazhi i sotëm për përfitim nga Pakoja Emergjente Fiskale është mashtrim

Prishtinë | 16 Qer 2020 | 20:27 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Financave (MF) ka njoftuar se sot në ora 15:08 minuta, nga një adresë elektronike e panjohur dhe me qëllim dashakeq ([email protected]) është dërguar një njoftim gjoja në emër të Thesarit të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, në drejtim të një numër të caktuar të adresave elektronike zyrtare, gjoja për mundësinë për të përfituar nga Pakoja Emergjente Fiskale, nëpërmjet plotësimit të të dhënave të caktuara të natyrës personale.

Ministria e Financave njofton opinionin e gjerë se ky njoftim nuk ndërlidhet fare me Ministrinë e Financave dhe strukturat e saj, dhe si i tillë ka qëllim mashtrimin, duke rënë kështu në domenin e krimit kibernetik.

“Përveç kësaj, vegza e bashkëngjitur në këtë njoftim “orienton” pranuesit në një formular, i cili shihet të jetë një formë e mashtrimit, për mbledhjen në mënyrë të kundërligjshme të dhënave të ndjeshme personale dhe atyre bankare. Andaj, kërkojmë nga të gjithë zyrtarëve apo qytetarëve që kanë pranuar këtë njoftim të mos plotësojnë të dhëna e kërkuara dhe në raste të tilla të njoftojnë Policinë e Kosovës për këtë rast”, thuhet në njoftimin e MF-së.

Ministria e Financave sqaron se komunikon vetëm përmes adresave zyrtare të cilat vijnë nga domeni zyrtar (@rks-gov.net). Për këtë Agjencia Shoqërore e Informacionit (ASHI) tashmë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurinë dhe ka njoftuar përdoruesit e domenit të institucioneve të Kosovës.

Me qëllim të zbardhjes së këtij veprimi me elemente të veprës penale, Ministria e Financave do të bashkëpunojë ngushtë me organet e rendit, dhe do ta njoftojë me kohë opinionin publik për zhvillimet e mëtutjeshme.

Të ngjashme