19 punëtorë të çerdheve në Pejë infektohen me COVID-19

Prishtinë | 26 Gus 2020 | 19:33 | Nga Ekonomia Online

Dy objektet e çerdhes publike “Pëllumbat e paqes” ishin përgatitur që prej 1 shtatorit të hapnin dyert për fëmijët e qytetit të Pejës.

Dhe në kuadër të përgatitjeve për fillimin e punës, me kërkesën e drejtoreshës së këtij institucioni parashkollor, punëtorët e çerdhes i janë nënshtruar testimit për Covid-19, i cili ia ka lënë drynin në derë çerdhes edhe për një kohë të pacaktuar, raporton KOHA.

“Drejtoresha vetë ka kërkuar prej institutit të testohen të gjitha, për me pas siguri fëmijët, mirëpo kur janë bë rezultatet kanë dalë që janë 19 pozitivë”, ka thënë Afërdita Spahija, zyrtare në Drejtorinë e Arsimit për nivelin parafillor në Pejë.

Pozitivë kanë dalë edukatorë, kuzhiniere, pastruese, punëtorë teknikë dhe ndërkohë pritet të dalin rezultatet edhe të 25 punëtorëve të tjerë të kësaj çerdheje, në të cilën veç ka nisur dezinfektimi.

Në mesin e të infektuarve me Covid-19 është edhe drejtoresha e këtij institucioni parashkollor me gjithsej 62 punëtorë, Meritë Halitaj-Beqiri, e cila nga izolimi shtëpiak, përmes telefonit i ka thënë KOHËS se punëtorët që kanë dalë pozitivë kanë qenë të infektuar diku tjetër.

Pasi kanë dalë rezultatet e para pozitive të punëtorëve të çerdhes, të cilëve mostrat u janë marrë në oborrin e çerdhes, ka reaguar edhe shtabi emergjent i Komunës së Pejës.

“Pas kësaj informate menjëherë ne si shtab komunal, dhe në bashkëpunim me drejtorin e Drejtorisë për Arsim kemi vendosur që fillimi në çerdhen publike “Pëllumbat e Paqes” të shtyhet për një periudhë të pacaktuar deri në rikuperimin dhe shërimin e plotë të stafit”, ka thënë Petrit Loci, shef i shtabit emergjent.

Nga fillimi i pandemisë e deri të mërkurën në Komunën e Pejës, janë regjistruar 734 raste me Covid-19, derisa aktualisht janë rreth 200 raste aktive dhe 30 veta kanë vdekur.

Të ngjashme