4 raste të reja me Coronavirus, ndërsa 5 pacientë të shëruar në Kosovë

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 20:01 | Nga Ekonomia Online

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKShPK) ka njoftuar se në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në këtë institut, me metodën RT-PCR, janë testuar 92 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, katër prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Pas përsëritjes së dytë të testimit, edhe pesë pacient konfirmohen zyrtarisht të shëruar nga COVID-19.

Rastet pozitive janë raste kontakti, 2 prej të cilëve janë me vendbanim në Mitrovicën veriore, 1 me vendbanim në Vushtrri dhe 1 me vendbanim në Malishevë.

Nga data 08.02.2020 deri me 31.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.267 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 112 raste me 1 rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.

Në IKSHPK thonë se në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 2.351 kontakte të rasteve.

Më herët, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar edhe për katër pacientë të shëruar nga Coronavirusi.

Tashmë janë pesë gjithsej që ia kanë dal të shërohen nga Covid-19.

“Pas përsëritjes së dytë të testimit, edhe katër pacientë konfirmohen zyrtarisht të shëruar nga COVID-19. Faleminderit stafit të mrekullueshëm në Klinikën Infektive, Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe të gjithë infermierëve dhe mjekëve anembanë Kosovës për punën e jashtëzakonshme. T’i ndihmojmë edhe ne në këtë betejë. Qëndroni në shtëpi. Ndiqni rekomandimet e MSH dhe IKSHP. Bashkë do t’ia dalim”, ka shkruar Vitia në Facebook.

Të ngjashme