45 studentë fitojnë bursa për master në BE – Pas studimeve, do të punojnë në institucionet e vendit

Prishtinë | 07 Mar 2023 | 11:59 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zyra e Bashkimit Evropian dhe Qeveria e Kosovës kanë ndarë 45 bursa për studime master për nëpunës civilë aktualë dhe studentë të sapodiplomuar. Ata do të studiojnë në vende të BE-së dhe më pas do të punësohen për së paku 3 vjet në Administratën Publike, raporton Ekonomia Online.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se përzgjedhja ka qenë shumë konkurruese, teksa tregoi se deri tani afër 400 studentë e kanë përfunduar këtë program ndër vite.

Ai ka theksuar edhe pjesëmarrjen e madhe të femrave, e cila është më shumë se gjysma e të përzgjedhurve.

“Përzgjedhja është shumë konkurruese, me provime dhe intervista. Presim me padurim kthimin tuaj në Kosovë. Administrata publike ka nevojë për ju. Shpresoj që të gjeni një vend punë me atë që keni studiuar”.

“Arsimi është me rëndësi kyçe për avancimin e zhvillimit të Kosovës në të gjitha sferat e jetës, përfshirë rrugën e saj të integrimit në BE. Jam i lumtur të shoh që numri i të rinjve që përfitojnë nga programi ynë i bursave Master po rritet vit pas viti dhe se duke punuar si nëpunës civilë po sjellin ndryshim pozitiv në mënyrën se si funksionon administrata publike e Kosovës. Afër 400 studentë kanë përfunduar këtë program ndër vite , 2 /3 janë femra në këtë program. Fuqizimi i femrave do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Falënderoj të gjithë partnerët tanë, ju dëshiroj më të mirat dhe shpresoj që sa më shpejt të ktheheni në Kosovë”, tha ai.

Zëvendëskryeministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, tha se ky është njeri nga projektet më të rëndësishme për Administratën Publike, i cili merret tërësisht me të rinjtë.

“Kënaqësia ime është e veçantë se përpara kam të rinj të përzgjedhur në mënyrë meritore. Kemi të bëjmë me një projekt që ka të bëjë 100% me të rinjtë. Ky është njeri nga projektet më të rëndësishme për Administratën Publike”.

“Bursistët i pret një përvojë e veçantë. Në kuadër të projektit, bursistët do ta kenë mundësinë që të familjarizohen me Administratën Publike para se të shkojnë. Ky program është i rëndësishëm në kuptimin që ndikimi i tij ndikon në shumë aspekte të zhvillimit personal dhe social. Një administratë publike profesionale promovon transparencën dhe llogaridhënien në qeveri. Siguron që politikat dhe programet janë në përputhje me nevojat e qytetarëve”, tha ai.

Ndërsa, ekspert i programit YCS, profesor Nikolas Panagiotou, tha se  studentët e përzgjedhur përfaqësojnë më të mirët nga talentet që ekzistojnë në Kosovë.

“Nga fillimi që kemi pasur këtë projekt kemi pas mundësi të ndërtojmë raporte afatgjate. Personat që janë përzgjedhur, mendoj se përfaqësojnë më të mirët nga talentet që ekzistojnë në Kosovë”.

“Është një projekt shumë i rëndësishëm sepse kështu Evropa tregon angazhimin e saj që ka për Kosovën që të punojë për Administratën Publike. Kjo që kemi arritur brenda kësaj periudhe të shkurtër ka qenë me shumë se një detyrë e vështirë”.

Vesa Bujupaj, njëra nga studentet e përzgjedhura, tha se programi ka dëshmuar vendosmërinë e BE-së karshi Kosovës dhe se e ndjenjë përgjegjësi që t’ia kthejnë më të mirën shoqërisë.

“Ky program bursash na ka ofruar një mundësi të rrallë. Programi ka dëshmuar që është një vendosmëri e BE-së për të ardhmen e Kosovës. Na ka dhënë mundësi që të bëjmë ndryshime në Kosovë. Sot jemi të rrethuar me shumë të rinj me dije brilante. Kam kënaqësinë që do të jem me studentët tonë. Kemi përgjegjësi që tua kthejmë më të mirën shoqërisë sonë”, tha ajo.

Mbështetja e BE-së për arsimimin e nëpunësve civilë në nivel master në Kosovë ka filluar në vitin 2004. Që atëherë, në 12 raundet e mëparshme të bursave, 364 nëpunës civilë janë arsimuar në fushat që janë konsideruar më të nevojshmet nga qeveria.

Programi i BE-së për Bursa për Studime Master i obligon përfituesit e tij që të punojnë në një nga institucionet e Kosovës për të paktën tri vjet pas diplomimit. Tri raundet e ardhshme të programit do të zbatohen nga ’Universiteti Aristoteles në Selanik të Greqisë dhe Instituti Kombëtar i Shërbimit Publik në Francë, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Kosovës.

Të ngjashme