Sytë e “përgjakur” të Bashës dhe 3 mesazhet e protestës së opozitës

Prishtinë | 16 Mar 2019 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Sot opozita protestoi krejt ndryshe, duke sjellë një marshim protestë përreth dy prej simboleve që përfaqësojnë pushtetin e qeverisë së Ramës, kryeministrinë dhe parlamentin.

Por nga ana tjetër, protesta po ashtu prodhoi dhe tensione, të cilat shkuan në përplasje mes qytetarëve dhe policisë. Kjo ishte një histori e përsëritur më parë gjatë përplasjeve mes pushtetit në qeveri dhe opozitës.

Historinë e “ripërsëritur” e treguan më së miri sytë e skuqur të Lulzim Bashës, i cili po ashtu si dhjetëra qytetarë në protestë, u prek dukshëm nga pasojat e gazit lotsjellës që policia lëshoi mbi protestuesit.

Por kush ishin tre mesazhet që përcolli vetë Basha në fjalimin e tij para mbylljes së protestës?

Lideri i demokratëve i është drejtuar me një mesazh të qartë ndërkombëtarëve, që në të shumtën e rasteve e kanë kritikuar si të gabuar vendimin e opozitës për t’u larguar nga parlamenti dhe mandatetet e tyre si deputetë. Basha i ka bërë thirrje atyre që të mos dëgjojnë një autokrat, por zërin e qytetarëve, të cilët këtë të shtunë dolën me mijëra në protestë kundër qeverisë. Kryedemokrati e dha mesazhin madje dhe në anglisht, duke thënë se stabiliteti i Shqipërisë nuk qëndron në këmbë, përderisa demokracia është goditur rëndë nga pushteti.

Basha: Sot më në panik se kurrë kufoma politike e Ramës dhe klikës së tij kriminale përshkallëzoi dhunën e paprovokuar ndaj protestuesve me të vetmin qëllim, për t’i trembur e larguar nga rruga e protestës.

Por përgjigjen e mori nga populli. Duart e gjata të krimit që për llogari të oligarkëve dhe kriminelëve dhunojnë qytetarët, do të japin përgjegjësitë para ligjit, për këtë zotohem para jush dhe para të gjithë Shqipërisë. E gjithë bota e ka parë sot vendosmërinë e një populli të bashkuar për liri e demokraci, për t’i dhënë fund Ramës dhe njerëzve të lidhur me krimin. Dita po afron. Pa zemrat tuaja kreshnike, pa vendosmërinë tuaj qytetare, ju o viganë mbrojtës të lirisë,… sot ky vend do të ishte rreshtuar krah shumë kombëve pa fat. Këtë rrugë kishte nisur Rama për shqiptarët, por ne e kemi ndalur dhe do ta hedhim në lumë rrugën e tij të mbrapshtë dhe parlamentin e tij të krimit. Nuk ka rrugë tjetër për të rikthyer demokracinë dhe drejtësinë përveçse protestave, për të mbrojtur të drejtat tona. Ishim shumë në shkurt dhe jemi shumë e më shumë sot më 16 mars.

Dua ti drejtoj në emrin tuaj një mesazh të qartë miqve tanë perëndimorë që na kanë mbështetur “no stability ëithout democracy”, nuk ka stabilitet pa demokraci, nuk ka stabilitet pa liri e drejtësi. Ftesa ime është, mos e dëgjoni autoktratin e korruptuar, por dëgjoni zërin e njerëzve, dëgjoni zërin e qytetarëve.

Mesazhi i dytë i Bashës ishte i drejtuar seksioneve të policisë që sipas tij tentojnë të provokojnë protestuesit me gjeste të ulëta, që më pas t’i godasin me forcën e gazit lotsjellës dhe ujit me presion. Po ndryshe nga herët e tjera, sot policia shkoi një hap më tej dhe paralajmëroi dhunën nëse protestuesit nuk tërhiqeshin. Basha i është përgjigjur kështu këtij kërcënimi të hapur të pushtetit

Basha: Mos e ktheni faqen tjetër kur ju godasin horrat e shtetit, por goditini mbrapsht. Qëndroni fort! Të qëndrojmë të bashkuar. E gjithë bota e di, ky vërshim që ka nisur ka vetëm një fund, fitoren e demokracisë dhe rënien e qeverisë së krimit.

Mesazhi i fundit i Bashës ishte i qartë. Protestat do të vazhdojnë dhe nuk do të ndalen kurrë. Sipas kryedemokratit revolta popullore e shfaqur edhe këtë të shtunë, dukshëm e ka frikësuar Ramën, që sipas Bashës është fshehur nëpër tunelet e vjetra të byrosë politike të kohës komuniste.

Basha: Rama u fsheh tuneleve të vjetra të byrsosë politkke në Poliçan i friguar nga zemërimi popullor. Sot dua tju them se kjo që kemi nisur, nuk do të zvogëlohet e mpaket… ne nuk do të lodhemi, nuk e ulim kokën dhe nuk pranojmë t’i themi legjitime një kryeministri të kapur në krim. Beteja vazhdon dhe do të vazhdojë, në çdo qytet, në çdo lagje, rrugë, shtëpi të vendit tonë derisa ta çlirojmë Shqipërinë nga krimi. Ka 5 javë që nuk gjen vrimë miut të fshihet sa herë shqiptarët bashkohen. Le ta bëjmë protestën të përditshme e të përnatshme, zjarr t’i digjet toka nën këmbë të korruptuarve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme