Për keqpërdorimet e raportuara nga sinjalizuesit është njoftuar edhe kryeministri Kurti

| 10 Dhj 2024 | 14:39 | Nga

Lëvizja FOL në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, ka organizuar tryezë diskutimi me temën “Sinjalizuesit nga Perspektiva Praktike”, raporton Ekonomia Online.

Një ndër problemet kryesore të identifikuara nga zyrtarët përgjegjës për sinjalizim është sfida për të garantuar konfidencialitetin, veçanërisht gjatë raportimit përmes e-mailave zyrtare.

Ata kanë shprehur shqetësime serioze mbi sigurinë e këtij kanali, duke theksuar se zyrtarët e IT-së shpesh kanë qasje në përmbajtjen e këtyre e-maileve, gjë që rrezikon privatësinë e sinjalizuesve.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se mungon zbatimi në praktikë i Ligjit për sinjalizuesit.

“Për neve është e rëndësishme kjo temë. Kjo temë nga ne është shtyllë e transparencës dhe llogaridhënies. Duke pas parasysh se shtyllat mbajnë ndërtesën, asnjëherë nuk mundet me bartë gjithë ndërtesën por duhet pasur më shumë shtylla që ndërtesa jonë siç të ketë më shumë qëndrueshmëri. Ne kemi nevojë për bashkëpunim dhe këtë bashkëpunim e kemi të mirë sidomos me OJQ-të. Ka zyrtarë brenda institucioneve që janë bashkëpunues në rastet e sinjalizuesve. Sinjalizimi konsiderohet një formë guximi por nuk është vetëm indvidual, por i shërben edhe komunitetit në përgjithësi. Besimi i qytetarëve në institucione nuk fitohet me fjalë, por me vepra dhe besimin në institucionin tonë po mundohemi ta fitojmë me vepra. Zbatimi i legjislacionit, prapëseprapë duket se mungon zbatimi i saj në praktikë. Pra kemi probleme në praktikën e saj”, tha Buleshkaj.

Sinjalizuesja, Makfirete Dibrani, e cila kishte denoncuar keqpërdorimet në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, tregoi vështirësitë që ka hasur pas sinjalizimit për keqpërdorime.

Tha se për keqpërdorimet në MMPHI është njoftuar edhe kryeministri Albin Kurti.

“Kam marrë vërejtje me shkrim nga personi i cili sot gjendet në paraburgim për keqpërdorime. Disa herë është kërkuar transferi im në momentin që unë ju drejtova kryeministrit Albin Kurti për keqpërdorimet që po bëheshin në MMPHI. Këto përndjekje për të më larguar dhe diskredituar përfunduan këtu. Agjencia për Mbrojtjen e Privatësisë konstatoi që ishte shkelur rëndë privatësia ime nga udhëheqësi im. Ai kishte keqpërdorur raportet e mia mjekësore duke i shpërndarë nëpër depsrtamente të ndryshme dhe institucione tjera shtetërore, me qëllim që të justifikonte kërkesën për tranaferin tim e të cilat nuk ishin hiç më pak se pesë herë radhazi. Tri herë brenda një muaji kur unë e kisha njoftuar kryeministrin”, u shpreh ajo.

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se sinjalizuesit janë forma më e mirë në luftimin e korrupsionit.

“Çështja e sinjalizimit në luftën kundër korrupsionit është diçka kruciale. Çështja e mbrojtjes së sinjalizuesve është ngritur deri në nivelet e konventës së Kombëve të Bashkuara kundër korrupsionit, për shkak se në këtë luftë është e domosdoshme. Sinjalizuesit janë ata raportuesit e brendshëm që i shohin problemet, i shohin skandalet e shkeljet ligjore shumë më herët dhe nga afër. Nuk sinjalizohet vetëm nëse ka vepër penale, pra edhe nëse kemi të bëjmë me keqadministrim, me rrezik të mjeteve publike, etj dhe të gjitha këto raste mund të sinjalizohen, madje ligji thotë ‘kur ka gjasa që një shkelje të ndodhë’”, u shpreh Shala.

Të ngjashme