Prokuroria Themelore në Pejë i ka kërkuar Gjykatës Themelore caktim të masës së paraburgimit për të dyshuarin, i cili që gjatë marrjes në pyetje në prokurorin e shtetit, ka fyer dhe kërcënuar prokurorin Ramiz Buzhala.
Lajmin e ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
“Është duke u përpiluar kërkesa për caktimin e masës se paraburgimit ndaj personit që ka kanosur dje gjatë punës zyrtare prokurorin e shtetit”, tha Nikçi.
Lidhur me rastin Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh të së premtes ka dhënë detaje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti gjatë marrjes në pyetje në prokurorin e shtetit, ka fyer dhe kërcënuar prokurorin dhe bashkëpunëtorin e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.
Sulmin ndaj prokurorit Buzhala e kanë dënuar dje ashpër Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, duke thënë se rasti ndërlidhet me punën zyrtare të prokurorit.