Çka shkruan dhe çka është

Prishtinë | 23 Sht 2025 | 21:04 | Nga Blerim Shala

Sipas Konventës së Montevideos për të drejtat dhe përgjegjësitë e një shteti (ka hyrë në fuqi në vitin 1934), shteti si subjekt i të Drejtës Ndërkombëtare duhet t’i ketë këto cilësi:

Një, popullatë permanente;

Dy, territor të definuar (pra, edhe me kufij të qartë);

Tre, Qeveri (përfaqësuese);

Katër, kapacitet për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera.

Në anën tjetër, sipas kësaj Konvente, një shtet mund të ekzistojë edhe pa qenë i njohur prej shteteve të tjera.

Rikujtimi i parimeve të Konventës së Montevideos ndërlidhet, në këtë aktualitetin e përçudnuar dhe paradoksal ndërkombëtar, me aktin më të ri të njohjes së shtetit të Palestinës nga Britania e Madhe, Kanada dhe Australia, dhe me paralajmërimin e të njëjtit veprim edhe nga ana e Francës.

Diçka e tillë ka qenë e paimagjinueshme deri vonë, sepse kjo po ndodhë në kundërshti të drejtpërdrejtë me vullnetin e Qeverisë së Izraelit të Kryeministrit, Benjamin Netanyahu.

Për më shumë, Kryeministri i Izraelit ua ktheu ashpër shteteve që njohën Palestinën duke u shprehur në mënyrë kategorike që nuk do të ketë shtet palestinez.

Për raportet në mes të Izraelit dhe Palestinën, është veçmas e rëndësishme njohja që i erdhi Palestinës nga Britania e Madhe, sepse dihet roli kapital historik i Londrës në krijimin e shtetit të Izraelit dhe në menaxhimin e kësaj pjese të Lindjes së Mesme pas zhbërjes së Perandorisë Osmane.

Nëse këtu i kthehemi Konventës së Montevideos dhe aktit të njohjes së Palestinës si shtet, do të mund të konstatohet që realisht, thuaja të katër parimet kyç nuk e kalojnë dot verifikimin, së paku në rrethanat aktuale që mbretërojnë në Gaza dhe në Bregun Perëndimor, të cilat do të duhej ta përbënin shtetin e Palestinës.

Palestina sot nuk ka territor të qartë (dhe më pak, edhe kufij të definuar), popullata është në lëvizje e sipër në të katër anët e Gazës, qeveri të mirëfilltë përfaqësuese nuk ka, teksa edhe kapacitetet për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera janë të kontestuara.

Për më shumë, duket se palestinezëve më shumë se njohja e shtetit të tyre u nevojitet njohja ndërkombëtare e të drejtës për të mbijetuar si popull, veçmas në rripin e Gazës.

Në të vërtetë, duket që pikërisht kjo e drejtë e tyre është shkasi dhe shtytësi kryesor i kryeqendrave perëndimore për ta shpallur aktin e njohjes së shtetit të Palestinës, përkundër faktit që diçka e tillë jo vetëm që nuk i përgjigjet teorisë së të Drejtës Ndërkombëtare, por edhe më pak përkon me gjendjen në terren në Gaza dhe në Bregun Perëndimor.

Evropa perëndimore në veçanti, është treguar si rrallëherë më parë e pafuqishme për të ndikuar në ndaljen e luftës më të re në mes të Izraelit dhe Gazës, dhe në arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm, i cili pastaj do ta ribënte tryezën e bisedimeve për një akord historik të dy palëve, bazuar, siç beson Evropa, në parimin e dy shteteve.

Por as dy Administratat e fundit amerikane (ajo e Presidentëve Biden dhe Trump), natyrisht, duke i njohur edhe dallimet substanciale në mes tyre, nuk janë dëshmuar si të suksesshme në këtë aspekt.

Sidoqoftë, pafuqia e skajshme politike evro-perëndimore, e ndjekur me një akuzë të vazhdueshme të qarqeve mediatike dhe politike ndaj qeverive për një indiferencë për atë çka po ndodhë në këtë luftë në Lindjen e Mesme, duket se ndikoi në mënyrë vendimtare që kryeqendrat e Perëndimit të marrin vendimin i cili shumë më tepër mund të shpjegohet me kategori morale (fenomen ky shumë i rrallë në Botë, i fundit që mbahet në mend ka të bëjë me luftën e SHBA-së dhe Aleancës Veri-Atlantike për shpëtimin e popullit të Kosovës, në pranverën e vitit 1999), se sa me ato politike dhe diplomatike.

Për më shumë, situata në terren dhe në marrëdhëniet në mes të Qeverisë së Izraelit dhe paletinezëve, është më e keqe se kurrë dhe më së paku shpresëdhënëse që në një të ardhme (të afërt dhe të largët), mund të ketë paqe të mirëfilltë bazuar në atë parimin e Oslos (Marrëveshjes së vitit 1993) të dy shteteve dhe bashkëjetesës në mes tyre.

Ky është realiteti.

Të ngjashme