Dyvjetori i Banjskës na gjen, në shumë aspekte (në mos në të gjithat), aty ku kjo ngjarje është përmbyllur në orët e pasdites së 24 shtatorit të vitit 2023.
Para se të gjithash, për fare pak ditë pas operacionit ushtarak të Grupit paramilitar të prirë nga Milan Radoiçiq, i cili la prapa një polic të Kosovës të vrarë në detyrë dhe tre pjesëtarë të këtij Grupi, u zbardh thuaja e gjithë e vërteta e këtij rasti.
U kuptua që Radoiçiq ka qenë në krye të këtij sulmi ushtarak. Radoiçiq në atë kohë ishte Nënkryetar i ’Listët Serbe’ dhe për më shumë, njeriu kryesor për serbët e Kosovës i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Lidhja e këtyre të dyve është aq e fortë (kjo po vërtetohet edhe sot e kësaj dite me përkrahjen e sigurisë dhe asaj logjistike që Radoiçiq po ia jep Vuçiqit në përballjen me protestat e Lëvizjes studentore), saqë askush jo vetëm këtu, por as në Beograd dhe në Perëndim nuk beson dot që ndërmarrja e Radoiçiqit nuk ka qenë në plotni e bashkërenditur me Presidentin e Serbisë.
Kjo zatën vërtetohet edhe me armatimin, makinat e blinduara, hartat ushtarake, mjetet e komunikimit të cilat i janë zënë këtij Grupi pas ikjes së tij maleve të kësaj pjese të Kosovës.
Vetëm Ushtria e Serbisë ka pasur potencial për ta pajisur me armë, me ekspertizë dhe me dije këtë Grup i cili edhe për këtë shkak, nuk ka si t’i ikën definicionit si një formacion paraushtarak.
Edhe në këtë mënyrë pra, në këtë segmentin e armatimit dhe logjistikës, konfirmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Grupit të Milan Radoiçiqit dhe shtetit të Serbisë.
Gjithashtu, armatimi dhe pajisjet e sjella në Kosovë para konfliktit të armatosur të 24 shtatorit, janë dëshmi që Grupi i Radoiçiqit, në të vërtetë, ka qenë vetëm një pararojë që duhej të çelte udhë për një mori pjesëtarësh të tjerë të gatitur, brenda dhe jashtë Kosovës, për ta inskenuar një ’kryengritje’ të komunitetit serb në Veri të Kosovës, të cilën ndryshe, e ka kërkuar disa herë në të kaluarën Radoiçiq, por e ka ndalur vet Presidenti Vuçiqduke i thënë që nuk ka ardhur koha për një gjë të tillë.
Pra, Plani i shtetit të Serbisë dhe i liderit të saj, Aleksandar Vuçiçit, ka qenë që në Banjskë të nisë, përmes veprimeve ushtarake dhe mobilizimit gjithëpërfshirës të komunitetit serb në këtë pjesë të Kosovës, faza finale e shkëputjes së Veriut të Kosovës, duke krijuar një fait accompli (fakt të kryer), i cili pastaj do të konfirmohej edhe nga Perëndimi, në negociatat në mes të Autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë, të cilat do të bazoheshin në parimin territorial, dhe në asnjë parim tjetër.
Paralajmërimi real i shtatorit të vitit 2023 ka ndodhë në nëntorin e vitit 2022, kur me urdhrin e Vuçiqit ndodhi largimi i plotë i politikanëve, policëve, gjykatësve, prokurorëve, punëtorëve administrativ të komunitetit serb nga pushteti në katër komunat e Veriut të Kosovës.
Në këtë mënyrë, Vuçiq doli pakthyeshëm nga Marrëveshja e prillit të vitit 2013 në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, dhe zgjodhi opsionin e radikalizimit të skajshëm të politikës së Serbisë që kulmoi me Banjskën.
Gjithsesi këtu mund të shtohet që Vuçiqi dha një goditje plandosëse edhe Marrëveshjes themelore për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe Aneksit të Ohrit të saj, të cilat u arritën në shkurtin dhe marsin e vitit 2023.
Tek e mbrama, as edhe një të vetmen herë, Presidenti i Serbisë dhe zyrtarët më të lartë të Serbisë, nuk kanë pohuar që Beogradi i ri prapa Marrëveshjes franko-gjermane (titulli i saj origjinal, para se të mbështetej nga Bashkimi Evropian), apo, që do të punojë për zbatimin e plotë të saj.
E tëra kjo është histori e njohur në dy vitet e kaluara, apo edhe më shumë.
Duket që mësimi kryesor i kësaj historie është që adresimi ligjor, gjyqësor, politik dhe diplomatik i Banjskës është kusht pa të cilin nuk bën nëse njëmend synohet kthimi në bisedimet/ rrugën e cila duhet të përmbyllet me Marrëveshjen ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.