Aktakuzë ndaj dy personave për ndërtim pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm

Prishtinë | 21 Tet 2025 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Departamenti i Përgjithshëm njofton se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega Skenderaj, ndaj dy të pandehurve A.A., dhe A.A., për veprat penale “Ndërtimi pa leje” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Të pandehurit ngarkohen se kanë kryer punë pa leje të ndërtimit në Skenderaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Dy të pandehurit, akuzohen se nga data nga data 20.07.2023 deri më datë 11.08.2023, në Skenderaj , në bashkëkryerje me dashje dhe vetëdije të plotë, të pandehurit ne vend punishte janë hasur duke kryer punë pa leje të ndërtimit e cila kërkohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

Ata po ashtu akuzohen se nuk vendosën pajisjes për mbrojtje, kështu që gjatë mihjes së dheut ka ardhur deri te rrëshqitja masive e dheut, ku përpos dëmeve në pronë publike, janë shkaktuar dëme edhe në pronat e dy të dëmtuarve.

“Po ashtu, të pandehurit A.A., dhe A.A., akuzohen se në bashkëkryerje dhe me dashje, në kundërshtim me detyrimet e përcaktuara me ligj nuk i vendosin pajisjet për mbrojtje ashtu që gjatë mihjes së dheut dhjetë (10) metra nën nivelin e asfaltit ka ardhur deri te rrëshqitja masive e dheut, ku si pasojë e kësaj përpos dëmeve të shkaktuara në pronën publike përgjatë dy rrugëve si dhe murit e rrethojës së çerdhes së fëmijëve në ndërtim e sipër, po ashtu janë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në pronat private të të dëmtuarve F.S., dhe D. Xh”, njofton Prokuroria.

Prokuroria ka propozuar që dy të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe t’iu shqiptohet sanksion penal i paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme