Asnjëherë më parë nuk kemi parë një fenomen kaq të mjerueshëm dhe të rrezikshëm për kombin tonë sa përçarja që po ndodh sot midis shqiptarëve të Kosovës nga politikanët koprracë e votëkërkues. Shoqëria jonë po copëtohet në dysh: mërgatë dhe vendës, sikur të ishin dy popuj të ndryshëm, kur në fakt të gjithë jemi kosovarë dhe të gjithë kemi pjesën tonë në historinë dhe të ardhmen e shtetit tonë.
Po, mund të bëhet një ndarje e thjeshtë ndërmjet atyre që kontribuuan drejtpërdrejt në çlirim e shtetndërtim dhe atyre që nuk e patën këtë rol. Por kjo ndarje asnjëherë nuk duhet të kthehet në kundërvënie mërgatë–vendës. Kjo është e padrejtë, e rrezikshme dhe kundër çdo logjike kombëtare.
Ajo që po shihet sot është një dukuri e natyrës njerëzore: secili grup përkrah më shumë sojin e vet. Kontribuuesit për liri e shtet përkrahin çlirimtarët dhe ndërtuesit e institucioneve; ndërsa pjesa tjetër, që në shoqërinë tonë përbën shumicën, mbështet ata që i ngjajnë vetes së tyre. Dhe Sokrati na paralajmëron se shumica shpesh e ngulfat pakicën. Sa madhështore do të ishte sikur kjo shumicë t’i ishte bashkuar pakicës që sakrifikoi gjithçka, madje edhe jetën, në kohët më të vështira të vendit.
Por realiteti është më i hidhur: shumë prej tyre zgjodhën largësinë, u strehuan në shtete të tjera, qëndruan larg rrezikut, ndërtuan jetë të rehatshme e pasuri, shkolluan fëmijët në sistemet më të avancuara, dhe sot, të diplomuar, të privilegjuar dhe me kurriz të sigurt, kthehen për të marrë pozita të larta në shtetin që nuk e kanë bartur në shpinë kur ishte në rrezik. Shpesh ata ngrihen mbi supet e sakrificës së të tjerëve, duke nënçmuar e përbuzur pikërisht ata njerëz që lanë shkollimet, karrierat dhe çdo perspektivë personale për t’iu bashkuar luftës për liri dhe që më pas morën mbi supe barrën e parë, më të rëndë dhe më të vështirë, të shtetndërtimit.
Nuk mbroj askënd që ka keqpërdorur emrin e luftës; ata fatmirësisht janë pakicë dhe duhet të përgjigjen. Por nuk mund të heshtim para nënçmimit sistematik të atyre që vërtet dhanë gjithçka për lirinë, që themeluan institucionet dhe që punuan krah për krah me bashkësinë ndërkombëtare për ngritjen e shtetit.
Shtëpia e të varfërit nuk ndërtohet e përsosur; ajo ngrihet me mund, pak nga pak, duke përmirësuar gabimet. Kosova është po ajo shtëpi. Dhe është mjerim, është padrejtësi e rëndë, të përlyhet mundi dhe sakrifica e kujtdo që i ka dhënë këtij vendi gjithçka.
Mërgata është Kosovë. Ajo ka dëshmuar atdhedashurinë në format që ka zgjedhur: disa qëndruan larg rrezikut dhe dhanë para; disa u bashkëngjitën fronteve të luftës; disa prej tyre dhanë edhe paratë, edhe iu bashkëngjitën radhëve të ushtrisë çlirimtare; e ka edhe nga ta që, sikur sot, shpërndanin dezinformata dhe nuk bënë gjë të mirë për vendin. Ashtu sikur mërgata, edhe ata që jetojnë në Kosovë duhet ta kuptojnë historinë, realitetin dhe rrjedhën e zhvillimeve të Kosovës. Kosova e sotme nuk ka rënë nga qielli. Është ngritur me gjak, djersë, sakrifica dhe dhimbje të panumërta. Brezat që jetojnë e rriten në Kosovë e kuptojnë këtë me lëkurë, ndërsa brezat e rritur jashtë shpesh kanë këndvështrim tjetër, jo nga mungesa e dashurisë, por nga kushtet dhe rrethanat e ndryshme në të cilat jetojnë.
Por, po aq sa krenohen me flamurin dhe festat kombëtare kudo ata jetojnë, duhet edhe ta mbështesin politikën reale të Kosovës, jo folklorizmat apo tregimet dhe përrallat e bukura të politikanëve që u shfaqën vetëm pasi Kosova u çlirua dhe që sot, duke qenë shumicë në numër, kërkojnë pushtet përmes premtimeve boshe e narrativave të shkëputura nga realiteti i këtij vendi.
Kosova ka nevojë për unitet, për respekt të ndërsjellë, për mirëkuptim dhe për një të vërtetë të thjeshtë:
Pa ata që sakrifikuan, nuk do të kishte shtet; pa mërgatën, nuk do të kishte mbështetje; pa vendësit, nuk do të kishte zhvillim.
Politikanë të dashur, Kosova ka nevojë për të gjithë bijat dhe bijtë e saj. Mos e shkatërroni këtë unitet. Mos përçani dhe mos ndizni zjarr për interesa personale. Vendi ka nevojë për lidership, jo për ndarje; për vizion, jo për intriga.