Si veprim “johuman” e ka konsideruar Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës për të mos ia lejuar Salih Mustafës vizitën te babai i tij, i cili është në gjendje kritike shëndetësore.
“OVL UÇK shpreh shqetësimin e thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij, i cili ndodhet në gjendje kritike shëndetësore”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Duke qenë se Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë, ata kanë theksuar se nuk ekziston asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në proces gjyqësor.
“Refuzimi i kësaj kërkese është i pakuptimtë, johuman dhe në kundërshtim me parimet themelore të të drejtave të njeriut”.
OVL-UÇK ka njoftuar se këtë shqetësim “do ta ngrejë tek të gjitha institucionet më të larta ndërkombëtare, përfshirë organizatat për të drejtat e njeriut, duke kërkuar reagim dhe përgjegjësi për këto shkelje të rënda”.
Drejtësia pa humanizëm, konsiderojnë ata, “nuk është drejtësi”.
Në dhjetor të 2022-s, Mustafa ishte dënuar nga Gjykata Speciale për krime lufte me 26 vjet burgim. Një vit më pas, në dhjetor të 2023-s, Apeli ia kishte ulur dënimin në 22 vjet burgim.
Ndërsa, më 10 shtator 2024, ishte njoftuar se Paneli i Gjykatës së Apelit shqiptoi ndaj Mustafës dënim të njësuar prej 15 vjetësh burgim duke llogaritur dhe kohën në paraburgim.
Salih Mustafa u arrestua në Prishtinë më 24 shtator 2020. Po atë ditë, ai u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Mustafa është personi i parë që u dënua nga Gjykata Speciale nën akuzat e krimeve të luftës.