Bajraktari: Viti 2025 ishte vit i drejtësisë administrative, politika dështoi

Prishtinë | 21 Dhj 2025 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se viti 2025, ndonëse tejet sfidues në aspektin institucional dhe politik në nivel qendror, ka shënuar zhvillime të rëndësishme dhe pozitive në fushën e drejtësisë, duke e cilësuar atë si vit të drejtësisë administrative.

Bajraktari ka theksuar se në nivelin qendror viti 2025 u shoqërua me dështim të spektrit politik për jetësimin e vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e shkurtit, ndërsa në nivel lokal procesi zgjedhor dhe kalimi i pushtetit te të zgjedhurit e rinj u zhvillua qetë, gjë që sipas tij është pozitive për vendin. Ai ka shtuar se rendi kushtetues u sfidua disa herë, duke bërë që Gjykata Kushtetuese të trajtojë çështje të natyrës politike, megjithatë, sipas tij, kjo gjykatë vendosi standarde të rëndësishme për të shmangur situata të ngjashme bllokuese në të ardhmen.

Në fushën e drejtësisë, Bajraktari ka deklaruar se pavarësisht sulmeve dhe etiketimit ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, viti 2025 mund të quhet pa dyshim vit i drejtësisë administrative. Ai ka vlerësuar lart rolin e Gjykatës Supreme, e cila sipas tij ka pasur një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm duke shpallur të paligjshme dhe shfuqizuar një numër vendimesh dhe aktesh nënligjore, efektet e të cilave kanë prekur shtresa të ndryshme të shoqërisë, përfshirë veteranët, pensionistët dhe kategori të tjera të ndjeshme.

Sipas Bajraktarit, këto zhvillime janë rezultat i drejtpërdrejtë i ligjit të ri për konfliktet administrative, ndryshimet e të cilit kanë rezultuar tejet të rëndësishme. Ai ka shprehur kënaqësinë për këto arritje në sistemin e drejtësisë administrative.

Ai ka vlerësuar gjithashtu zhvillimet në fushën e krimeve të luftës, duke theksuar se hetimet, ngritja e aktakuzave dhe gjykimet, përfshirë edhe gjykimet në mungesë, kanë shënuar progres që sipas tij vlen të përshëndetet.

Duke folur për pritshmëritë për vitin 2026, Bajraktari ka shprehur shpresën që viti i ardhshëm të nisë mbarë në drejtim të jetësimit të reformave në sistemin prokurorial, duke filluar nga Këshilli Prokurorial dhe duke u reflektuar në funksionimin e përgjithshëm të sistemit prokurorial.

Si sfidë për periudhën në vijim, ai ka përmendur fillimin e zbatimit të tarifave të reja për taksa gjyqësore, të vendosura së fundmi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Bajraktari ka shprehur shqetësimin se rritja e këtyre tarifave mund të ndikojë në qasjen e qytetarëve në gjykatë, duke theksuar se mbetet të shihet nëse kjo do të krijojë pengesa serioze për realizimin e të drejtave gjyqësore.

Në përfundim, Bajraktari ka deklaruar se dështimi i vitit 2025 i takon politikës, ndërsa në fushën e drejtësisë, ky vit sipas tij do të mbahet mend si vit i drejtësisë administrative.

Të ngjashme