Kosova humb mbi 30 mijë studentë në pesë vjet

Prishtinë | 21 Dhj 2025 | 20:09 | Nga Ekonomia Online

Numri i përgjithshëm i studentëve në universitetet publike dhe private ka pësuar rënie për rreth 32 për qind në pesë vjetët e fundit. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2025 numri i përgjithshëm i studentëve është 64 mijë e 817, ndërsa pesë vjet më herët ka qenë 95 mijë e 335. Ekspertët e arsimit si shkaktarë kanë përmendur migrimin dhe rënien e natalitetit

Në pesë vjetët e fundit numri i studentëve në universitetet publike dhe private në Kosovë është ulur për 32 për qind. 

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2025 numri i përgjithshëm i studentëve është 64 mijë e 817, ndërsa pesë vjet më parë ishte 95 mijë e 335.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë se shkaktarët kryesorë të kësaj rënieje lidhen me zhvillimet demografike dhe migrimin.

”Shqetësimi më i madh është në trendin demografik, Kosova ka një rënie edhe të natalitetit, pra shtimit të popullatës, por në tjetrën anë ka edhe ikje të popullatës. Këto janë shqetësimet kryesore. Këto shqetësime reflektojnë edhe në arsimin e lartë jo vetëm si numër i studentëve, por edhe si numër i të diplomuarve të ardhshëm”, ka thënë Rexhaj.

Sipas Rexhajt, përveç rënies së numrit të studentëve, problem mbetet mungesa e planifikimit institucional për përballimin e kësaj situate.

“Po më pikëllon që as qeveria, as partitë politike, as faktorët e tjerë nuk po e shohin këtë si problem të madh. E njëkohësisht, nëse flasim në sistemin arsimor, nuk po shoh që institucionet arsimore e as autoritetet, ministria e këto, nuk po marrin masa që nëse po rënka numri i studentëve këta mësimdhënës, është numër i njëjtë i mësimdhënësve, qysh po përdoren? Të njëjtat fakultete, 15 për qind ka rënë numri i studentëve e numri i mësimdhënësve ka mbetur i njëjtë. Unë nuk po shoh planifikim as të përdorimit të stafit, as të përdorimit të objekteve, por as i trendëve të ardhshëm dhe një planifikim se kah me i orientu regjistrimet”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se mungesa e politikave të qarta shtetërore po e thellon edhe më tej këtë problem.

“E para, ne duhet me kriju qeverinë, sepse nuk kemi qeveri, ne njerëzve duhet me ju ofru prosperitet këtu në Kosovë. Edhe universitetet, edhe qeveria, edhe ministria duhet me i trajnu njerëzit që me ardhë kompanitë e jashtme me investu në Kosovë e jo njerëzit me na dalë jashtë. Ka mundësi por partitë politike, qeveritë e kushdo që vjen tash duhet me mendu për njerëzit më shumë, d.m.th. problem është  njerëzit që dalin… pse njerëzit me dalë? Pse mos me ju kriju kushte me mbetë në Kosovë? Këto janë pyetje të mëdha dhe unë nuk pi e shoh asnjë autoritetet e asnjë niveli e besa as parti të ndryshme tu u marr me to”, është shprehur Rexhaj.

Gjatë pesë vjetëve të fundit 21 mijë nxënës më pak janë evidentuar edhe nëpër shkolla të Kosovës. 
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave, në vitin shkollor 2020-2021 të regjistruar kanë qenë 229 mijë e 664 nxënës, e në atë 2024/2025, 208 mijë e 515. /Koha

Të ngjashme