Në fjalimin e saj vjetor nga Kuvendi, presidentja Gordana Siljanovska Davkova, duke iu referuar tragjedisë në Koçan, tha se traumat nga kjo tragjedi do t’i bartim të gjithë, duke theksuar, ndër të tjera, se me zjarrin në të cilin humbën jetën 63 persona, në sipërfaqe dolën vendimmarrja spontane, mungesa e kulturës sistemore, mosndëshkueshmëria, si dhe u theksua nevoja për një rishqyrtim të thellë.
“Koçani nuk ishte vetëm një tragjedi, ai rast na çoi te muri i turpit,” tha Davkova.
Ajo u bëri thirrje partive politike dhe politikanëve që t’i ndërpresin përplasjet e përditshme në kurriz të procesit gjyqësor për Koçanin. Me këtë proces gjyqësor, siç u shpreh ajo, do të shihet nëse gjyqësori do ta fitojë apo do ta humbasë përgjithmonë besimin e qytetarëve. Jo rastësisht, shtoi ajo, negociatat me BE-në fillojnë dhe përfundojnë me drejtësinë.