Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ashpër ndaj ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, duke i cilësuar ato të papranueshme dhe skandaloze, madje edhe në vitin 2026.
Në një postim në Facebook, AKB vlerëson se situata e krijuar po shkakton humbje të mëdha për bizneset dhe dëme të drejtpërdrejta për qytetarët.
“Ndërprerjet e shpeshta dhe të papërgjegjshme të energjisë elektrike janë të papranueshme dhe skandaloze. Bizneset po humbin mijëra euro çdo ditë, prodhimi po ndalet, shërbimet po dështojnë, ndërsa qytetarëve po ju prishet ushqimi në frigoriferë”, thuhet në reagim.
AKB ka theksuar se institucionet përgjegjëse duhet të mbajnë përgjegjësi për, siç e quajnë ata, “kaosin energjetik”.
“KESCO/ZRRE dhe KEK si institucione përgjegjëse duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë kaos energjetik. Energjia elektrike nuk është luks, por shërbim bazik”, thekson më tej Aleanca.
Në reagimin e saj, AKB ka paraqitur edhe kërkesat konkrete drejtuar institucioneve përgjegjëse.
“AKB kërkon ndërprerje të menjëhershme të shkyçjeve, transparencë dhe llogaridhënie, furnizim të qëndrueshëm dhe kompensim për dëmet e shkaktuara”, thuhet në postim.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka paralajmëruar edhe veprime të tjera në rast se situata nuk përmirësohet.
“Nëse kjo situatë vazhdon, AKB do të reagojë fuqishëm dhe publikisht”, ka deklaruar Shahini.