Maqedonci i jep lamtumirën Nënës Zymë Mazrekaj: Ishte pasqyra më e denjë e sakrificës

Prishtinë | 21 Jan 2026 | 16:32 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Nënës Zymë Mazrekaj, nënës së dy dëshmorëve të kombit, Tahir dhe Agim Mazrekaj.

Në postimin e tij, Maqedonci ka vlerësuar lart figurën dhe sakrificën e saj, duke theksuar rolin e nënave shqiptare në historinë e qëndresës dhe të lirisë.

“Sot i dham lamtumirën e fundit Nënës Zymë Mazrekaj, nënës së dy dëshmorëve kombit, Tahir dhe Agim Mazrekaj. Nëna Zymë ishte pasqyra më e denjë e sakrificës, qëndresës dhe kontributit të nënave shqiptare për atdheun”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se edukimi dhe vlerat e trashëguara ndër breza kanë kulmuar me luftën çlirimtare dhe lirinë e atdheut, duke theksuar se borxhi ndaj nënave të dëshmorëve është i pashlyeshëm.

“Borxhi ynë ndaj tyre nuk fshihet asnjëherë, ndërsa kujtimi e nderimi për to do të jetë i përjetshëm”, ka theksuar Maqedonci.

Maqedonci ka bërë të ditur se Nëna Zymë Mazrekaj është përcjellë për në banesën e fundit me flamur dhe nderime ushtarake.

“Sot nënën Zymë me flamur dhe nderime ushtarake e përcollëm për në përjetësi. Flamuri për të ishte amanet, liria ishte betim”, ka shkruar ai.

Ministri ka shprehur ngushëllime dhe respekt të thellë, duke përfunduar: “U prehtë në paqe shpirti i saj fisnik. Qoftë i lehtë dheu i tokës arbërore. Lavdi në përjetësi!”

Të ngjashme