Supremja e hudh si të palejuar revizionin e kandidates për anëtare të KPK-së, Merita Kurtishi-Gaka

Prishtinë | 21 Jan 2026 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Kandidates për anëtare të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Merita Kurtishi-Gaka, Gjykata Supreme ia ka hudhur poshtë revizionin e paraqitur ndaj vendimit të kësaj Gjykate, përmes të cilit ishte hudhur ankesa saj për rezultatin zgjedhor të 1 nëntorit 2025 për anëtarin prokuror të KPK-së.

Gjykata Supreme e kishte hedhur si të palejuar ankesën e Merita Kurtishi-Gakës, prokurore në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, të paraqitur kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, lidhur me procesin e zgjedhjes së Elza Bajrami-Kastratit si anëtare e KPK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në vendimin e Supremes të marrë më 20 janar 2026, thuhet se Kurtishi-Gaka ka ushtruar revizionin duke kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim, apo të ndryshohet vendimi Supremes- që ankesa të konsiderohet e lejueshme dhe gjykata të vendosë në merita të çështjes, dhe të anulohet vendimi i KPK-së si i kundërligjshëm, po ashtu të anulohet njoftimi i Komisionit Zgjedhor të KPK-së, si akt i nxjerrë në kundërshtim me ligjin. Ka kërkuar të obligohej KPK-ja të anulojë procesin zgjedhor dhe të rishpall proces të ri.

Fillimisht, KPK-ja kishte marrë vendim, duke refuzuar ankesën e prokurores që lidhej me rezultatin zgjedhor të 1 nëntorit 2025, ku ishte zgjedhur anëtare e Këshillit, Elza Bajrami-Kastrati. Ndaj vendimit në fjalë, ajo kishte paraqitur ankesë në Supreme, për çka kjo e fundit e ka hedhur si të palejuar.

Kurse, pas revizionit ndaj vendimit të 8 dhjetorit, Supremja konstaton se revizioni i ushtruar nga Kurtishi-Gaka nuk është i lejuar, me arsyetimin se vendimet e saj janë përfundimtare, siç ishte kur kishte vendos të hudhte ankesën ndaj vendimit të KPK-së, prandaj edhe revizioni meqenëse nuk lejohet ndaj vendimeve përfundimtare, duhet të hudhet.

Më tutje, në vendimin e Supremes thuhet se Ligji për plotësim/ndryshimin e Ligjit për KPK në nenin 18 flet për të drejtën në ankesë, sipas Supremes, kjo është situatë tjetër dhe flet për rekrutimin, propozimin, emërimin e prokurorëve dhe jo për situata të tjera.

Sipas Supremes, vendimi i saj kur kishte hudhur ankesën e Kurtishi-Gakës ishte i karakterit përfundimtar dhe se ndaj tij nuk mund të ushtrohet mjet i jashtëzakonshëm dhe se kjo gjen mbështetje në Ligjin për plotësim/ndryshimin e Ligjit për Procedurën Kontestimore, ku përcaktohet se nëse është paraqitur revizon kundër aktgjykimit që me ligj nuk mund të paraqitet, rezulton se nuk mund të paraqitet mjeti i jashtëzakonshëm.

Ndërsa, Elza Bajrami-Kastrati përmes rrugëve ligjore pranë gjykatës pret që të konfirmohet si anëtare e KPK-së,  në bazë të mandatit të fituar më 1 nëntor 2025 në Konferencën e Përgjithshme të Prokurorëve të Shtetit. Në rast se Bajrami-Kastrati konfirmon mandatin edhe me vendim gjykate, KPK në përbërje do të ketë 6 anëtarë, duke mbetur që 1 pozitë të plotësohet prej Kuvendi.

Së fundmi, Themelorja caktoi masë të sigurisë ndaj vendimit të KPK-së përmes të cilit ishte refuzuar certifikimi i rezultateve zgjedhore.

Ndryshe, Këshilli Prokurorial muajt e fundit është karakterizuar me zhvillime të shumta, detajet lidhur me këto zhvillime nga: shkarkimi i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, vendimi i Gjykatës Supreme për kthimin e tij në detyrë, më pas kërkesa e Kelmendit për lirim nga detyra e deri te aprovimi i saj dhe zhvillimet e tjera në KPK, i gjeni: KËTU. 

Të ngjashme