Bekim Haxhiu reagon ndaj kërcënimeve me vrasje ndaj Lirim Mehmetaj: Dëshmi se e vërteta po u dhemb bashkëpunëtorëve të Serbisë

Prishtinë | 21 Jan 2026 | 20:07 | Nga Ekonomia Online

Ish-kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka reaguar lidhur me kërcënimet me vrasje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.

Përmes një postimi, Haxhiu ka deklaruar se kërcënimet ndaj Mehmetajt janë dëshmi se e vërteta po i shqetëson ata që, sipas tij, bashkëpunojnë me Serbinë.

“Kur gazetarin Lirim Mehmetaj e kërcënojnë me vrasje njerëz që i kanë vëllezërit policë të Serbisë, kjo nuk është frikësim, është dëshmi se e vërteta po u dhemb bashkëpunëtorëve të Serbisë”, ka shkruar Haxhiu.

Ai ka theksuar se kërcënimet nuk mund të ndalin gazetarët dhe qytetarët që, sipas tij, e duan Kosovën dhe punojnë për të mirën e saj.

“Lirimin, çlirimtarët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që e kanë dëshmuar me vepra se e duan këtë vend, nuk mund t’i ndalni me kërcënime. Përkundrazi, vetëm sa i forconi dhe i motivoni të punojnë edhe më shumë”, ka shtuar ai.

Haxhiu ka bërë thirrje për reagim institucional, duke e cilësuar kërcënimin me vrasje si vepër penale.

“Kërcënimi me vrasje është krim. Heshtja ndaj tij është bashkëfajësi. Dënim për kërcënuesit”, ka shtuar Haxhiu.

Të ngjashme