Filmi “DUA” me regji të Blerta Bashollit me premierë në Cannes Film Festival

Prishtinë | 13 Pri 2026 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur se filmi artistik me metrazh të gjatë “DUA” i realizuar me regji të Blerta Bashollit do të ketë premierën në Cannes Film Festival, shkruan KultPlus.

Më poshtë është njoftimi i plotë i QKK-së.

Jemi jashtëzakonisht krenarë t’ju njoftojmë se filmi me metrazh të gjatë “DUA”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, do të ketë premierën botërore në SEMAINE DE LA CRITIQUE në kuadër të Cannes Film Festival. Filmi është përzgjedhur në mesin e vetëm 11 filmave të gjatë të edicionit të sivjetmë të këtij programi prestigjioz.

Kjo është hera e parë që një film kosovar përzgjedhet në SEMAINE DE LA CRITIQUE, një nga seksionet më prestigjioze dhe më kompetitive të festivalit, ku “DUA” do të garojë për katër çmime kryesore në kategorinë e filmave të gjatë.

Një dramë “coming of age”, e vendosur në Kosovën e viteve ’90 dhe e frymëzuar nga përvojat personale të regjisores, filmi ndjek historinë e një adoleshenteje introverte në kërkim të identitetit në një periudhë të ndërlikuar politike.

Producentë janë Valon Bajgora dhe Yll Uka (Ikonë Studio, Kosovë), ndërsa bashkëproducentë janë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin (Alva Film, Zvicër), si dhe Amaury Ovise (Kazak Productions, Francë).

Filmi mbështetet nga Centre National du Cinéma et de l’Image Animée (CNC), Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages, SRF – Schweizer Radio und Fernsehen, Cineforom dhe Qendra Kinematografike e Kosovës.

Të ngjashme