Prezantohet raporti “Drejtësia Civile në Kosovë 2025, IKD: Kohëzgjatja e trajtimit të rasteve civile mbetet shqetësuese

Prishtinë | 21 Pri 2026 | 10:40 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka prezantuar raportin “Drejtësia Civile në Kosovë 2025”, ku gjetjet tregojnë për dyshime serioze për trajtim të pabarabartë të rasteve civile në gjyqësor dhe zvarritje të theksuar të procedurave, raporton Ekonomia Online.

Sipas përfaqësuesve të IKD-së, kohëzgjatja e trajtimit të rasteve civile mbetet shqetësuese, duke arritur mesatarisht deri në 1451 ditë deri në formën e prerë, ndërsa në sistem vazhdojnë të ekzistojnë edhe lëndë të pazgjidhura më shumë se 12 vjet.

Blendina Veliqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), gjatë prezantimit të këtij raporti, ka thënë se gjetjet ngrenë dyshime për trajtim të pabarabartë të rasteve civile në gjyqësor.

“Gjetjet e IKD mbi trajtimin e rasteve civile ngrenë dyshime për trajtim të pabarabartë të rasteve civile në gjyqësor”, tha ajo.

Ajo tha se gjyqtarët, gjatë ushtrimit të funksionit të tyre gjyqësor, duhet të zbatojnë parimet dhe standardet e trajtimit të barabartë të palëve dhe të shmangin çdo qasje selektive në trajtimin e lëndëve.

Veliqi tha se ata duhet të respektojnë renditjen kronologjike të trajtimit të rasteve dhe të mos procedojnë raste të reja përpara atyre më të vjetra.

Ajo tha se kjo mund të përjashtohet vetëm në rastet kur prioriteti i tillë përcaktohet me ligj ose me vendim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Ata duhet të respektojnë renditjen kronologjike të trajtimit të rasteve dhe të mos procedojnë rastet e reja para atyre më të vjetra, përveç rasteve kur një prioritet i tillë përcaktohet me ligj ose me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Këtë qasje e ka sqaruar edhe Komisioni Këshillëdhënës për Etikën Gjyqësore i Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, tha ajo.

Për rrjedhojë, Veliqi shtoi se hulumtimi i IKD-së tregon se, përderisa ekzistojnë lëndë që janë deponuar në vitin 2025 dhe të cilat janë përfunduar brenda të njëjtit vit, ka edhe lëndë që nuk kanë marrë ende epilog dhe janë më të vjetra se 12 vjet.

“Megjithatë, hulumtimi i IKD-së tregon se, përderisa ekzistojnë lëndë të deponuara në vitin 2025 të cilat janë përfunduar brenda të njëjtit vit, në gjyqësor vazhdojnë të ketë edhe lëndë që nuk kanë marrë epilog dhe janë të vjetra për më shumë se 12 vjet”, tha ajo.

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, ka thënë se nga raporti “Drejtësia Civile në Kosovë 2025” del se ka një kohëzgjatje të lartë në trajtimin e rasteve civile, që nga inicimi i tyre deri në momentin kur marrin formë të prerë, që zgjat mesatarisht rreth 1451 ditë.

Sipas tij, një kohëzgjatje e tillë konsiderohet e lartë dhe paraqet shqetësim serioz në raport me standardin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm kohor.

“Një kohëzgjatje e tillë konsiderohet e lartë dhe paraqet shqetësim serioz në raport me standardin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, siç garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha Shala.

Ai ka thënë se mesatarja e kohëzgjatjes së trajtimit të rasteve civile në gjykatat themelore është rreth 875 ditë.

Shala ka thënë se kohëzgjatja më e lartë është evidentuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke pasuar me atë në Mitrovicë. Ndërsa, kohëzgjatja më e ulët në trajtimin e lëndëve është evidentuar në Gjykatën Themelore në Gjilan.

“Bazuar në aktgjykimet e analizuara për qëllime të këtij raporti, rezulton se mesatarja e kohëzgjatjes së trajtimit të rasteve civile në gjykatat themelore është rreth 875 ditë. Megjithatë, dallime të dukshme vërehen ndërmjet gjykatave. Kohëzgjatja më e lartë është evidentuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e pasuar nga ajo në Mitrovicë. Ndërsa, kohëzgjatja më e ulët për trajtimin e rasteve është evidentuar në Gjykatën Themelore në Gjilan dhe atë në Ferizaj. Këto të dhëna tregojnë se kohëzgjatja e trajtimit të rasteve, veçanërisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe atë në Mitrovicë, vazhdon të mbetet tejet e lartë”, tha Shala.

Sipas Shalës, në Apel kjo kohëzgjatje është rreth 611 ditë, duke përmendur faktin se janë fokusuar nga momenti i nxjerrjes së një vendimi në shkallë të parë deri në momentin e nxjerrjes së aktgjykimit në shkallë të dytë.

Të ngjashme