E morali?
(Prolog:
LDK është si ish-i:
e shpall gabimin më të madh në jetë,
por vazhdon
t’ia kontrollosh profilin.)
…
1. Ku shkon besa
Morali?
Fjala.
Besa.
Ajo klithma: “U kry.”
“Të bëj be, pashë Perëndinë.”
Ku shkon përbetimi kur shkelet?
“Ju kam treguar”:
sikurse shenjat unike të gishtave,
edhe gjuha e secilit
i ka shenjat e veta unike.
Dhe zemra e askujt
nuk i rreh njësoj.
Pra, numërohet çdo fjalë,
dhe njihesh
nga të rrahurat e zemrës.
S’ke ku fshihesh.
…
2. Gabimi më i madh në jetë
Kur e përzunë nga LDK,
Vjosa Osmani e tha fjalën e fundit:
përfundimisht.
Besa e saj u çua kundër saj.
Gjithmonë.
Besa e shqiptarit është e vërtetë
në çastin kur jepet,
por pastaj…
ndodh diçka.
Bëhet e papërdorshme.
Dhe:
askush nuk të akuzon
që je e pabesë,
sepse të gjithë janë ngapak të pabesë,
së paku një herë në jetë,
edhe pa dashje,
kur… e lyp puna.
Tash që janë prishur,
na kujtohen shëtitjet e saj (familjarisht)
me Albin Kurtin në Gërmi.
Shpresat tona shëtisnin me shtiklla nëpër park.
Ku mbeti besa,
ajo sevdaja?
Ajo shpresa?
Veç parku ka mbetur aty ku ka qenë.
Pasi Isa Mustafën
e ka quajtur gabimin më të madh në jetë
(që Vjosa thoshte se i ka besuar si prind),
tash ky term është i zënë.
Dhe pyetja është:
çfarë gabimi do ta quajë tash
Albin Kurtin?
…
3. Pajtimi është një gënjeshtër
Të kthehesh në vendlindje,
të kthehesh në shtëpi,
pasi je prishur me të gjithë,
është si të kthehesh
në një të kaluar
që më nuk ekziston.
Është si kur i takon
shokët e klasës,
e s’ke qejf,
sepse ata e mbajnë mend
versionin tënd
(me shishka e me zylyf),
që ti mezi e ke tejkaluar.
Apo si të ritakohesh
me shokët e lagjes,
të cilët ta sjellin ndërmend:
“A të kujtohet
kur s’dilje të luaje me ne,
sepse kur pas lojës shkonim për mushmolla,
ti…”
Shpesh më kujtohet
dhe mërzitem për ty…
E ti,
e ke tejkaluar mushmollën,
duke lexuar literaturë të gabuar psikologjike…
Frojdin.
Budallain seksi.
Apo, më e rënda:
takohesh në vendlindje me mësuesen,
e cila të thotë
se ka pritur që do të arrish shumë në jetë,
se ke qenë kapacitet…
E ti,
ende vuan
që s’je bërë
kush ke dashur.
Spikere.
E spikatur.
Psikologe e të tjerëve,
që tani e sëmur veten.
Dhe ende lexon horoskopin,
në pritje që të dalë Saturni nga shenja jote.
Del Saturni,
hyn Urani,
bashkë me Plutonin.
Kthehet pas 29 vitesh,
e ti ende s’je bërë…
Dhe veç vuajtja ndriçon.
Ajo shtrigë
i mbijeton çdo terri.
4. Zemra nuk fal
Por:
Unë nuk i besoj kthimit.
Nuk besoj në pajtim.
Nuk besoj në ribashkim.
Me këdo që jam prishur,
s’jam pajtuar kurrë më.
E kam zanat.
Të keq.
Sepse besoj
se ajo zemër
me ato të rrahura unike –
nuk fal.
Të rren kushdo
që të thotë:
“Falë të qoftë.”
Me falje shqiptarët
bëjnë tregti.
Më lirë kushton gjaku
se sot qershitë, sepse qershitë
vilen me dorë.
Por unë e di
se njeriu kthehet
në shtëpinë e vjetër
kur s’ka ndërtuar shtëpi të re…
Pasi ia kanë rrënuar shtëpinë,
apo pasi s’ka më ku të shkojë,
sepse askush –
askund –
nuk e pret.
Asgjë më s’është njësoj…
kur kthehesh.
Prandaj,
unë nuk mendoj
se dikush që s’ka pasur ku të shkojë,
mund t’i shpëtojë ata
që s’kanë ku të shkojnë.
LDK
është një parti
që s’ka ku të shkojë.
Sepse,
e ka harxhuar historinë e vet.
Mendoj.
…
EPILOG
Vjosa Osmani
duhet të ndihet e sigurt
dhe stabile,
që të fitojë.
– Kur shikohet në pasqyrë,
bindet edhe një herë se ka pasur të drejtë.
…
Albin Kurti
ka nevojë për tension,
për dramë, për hata…
që të fitojë.
– Në pasqyrë, pyet:
“Po sikur të hesht?”
– Pastaj s’e njeh veten
…
ORAKULLJA NGA SANXHAKU
Zodiaku e favorizon
Vjosa Osmanin.
Jo për të ndrequr punë,
por për t’ua prishur të tjerëve.
Saturni në Dashin e Albin Kurtit
do të jetë i rreptë me të.
Do t’ia heq kapuçin.
Dhe:
Zjarri do të shuhet.
Asgjë më s’do të jetë siç ka qenë.
Çdo gjë është bythëprap.
Votuesi do të dyshojë shumë,
në të gjithë.
Tani.
Edhe shpresa jonë ka nevojë për shpresë.
…
P.S.
Jeta është një arie e dhimbshme…
Po këndon dikush…
diku atje thellë,
në veri.
…
AUTOKRITIKË
Fisnike.
Në çfarë gjendje je.
Në orën 7:55,
kur mbërrite te sheshi “Nëna Terezë”,
e kuptove
se e kishe veshur fustanin mbrapshtë.
U gëzove shumë.
Sepse thonë:
“do të gëzohesh”.
Kaq e vogël
ke mbetur.
O.
Xhan.