Një shoqëri dhe një politikë që në vitet e nëntëdhjeta, të Shekullit XX, në ato vitet më të rënda të okupimit, është shquar me një durim dhe me një besim të madh që epilogu i çështjes së Kosovës do të jetë po ai që u pati artikuluar dhe shfaqur si vullnet i pakontestueshëm për liri, për demokraci dhe për shtet, tani, në dekadën e tretë të Shekullit XXI, karakterizohet me mungesë të durimit dhe të besimit të ndërsjellë. Dhe atë të përmasave të skajshme.
Mund të merret me mend se çka do të bëhej me ne, sikur atëherë, pra shumë vite më parë, do të ishim çfarë jemi sot.
Dikush do të mund të shtojë këtu që nuk kemi mundur të jemi ndryshe atëherë, sepse në pyetje ishte vet mbijetesa jonë kombëtare, e cila e bashkonte në një vend, ekzistencën e secilit prej nesh veç e veç.
Fati i secilit prej nesh, ishte njëkohësisht edhe fati i të gjithë neve. Nuk ka mundur të ketë lidhje dhe varësi më të mirë në mes të individit dhe popullit si atëherë, këtu tek ne, këtu në Kosovë.
Teksa tani, me gjasë, ka një përplasje gjithnjë e më të fuqishme në mes të interesit personal, atij të grumbulluar në entitete/ subjekte politike, dhe interesit shtetëror të Kosovës.
Atëherë, natyrisht, nuk kishim shtet. Por e kishim ëndrrën dhe vizionin e shtetit për të cilët ishim në gjendje të japim gjithçka, përfshirë edhe jetën tonë.
Tash (e 18 vjet), kemi shtet, por realiteti i këtij shteti, perspektiva e tij, sekush mund të shtojë këtu edhe jetëgjatësia e tij (jo rrallë e vënë në dyshim prej vet vesh, madje edhe me deklarata publike politike), duket që nuk kanë vlerë supreme në politikën kosovare.
Në një tjetër fjalim mbresëlënës që ish Presidenti amerikan Bill Clinton pati pak javë më parë, pas vizitës kumbuese në SHBA (në aspektin e porosive që i dha para audiencës), të Mbretit Charles III të Mbretërisë së Bashkuar, deklaroi, pos tjerash: ‘Besimi është monedhë në diplomaci’.
Dihet mirë se me kë e kishte Presidenti Clinton.
Në të vërtetë, kjo çka tha Presidenti amerikan që ka siguruar kujtesën e përhershme tek populli i Kosovës, sepse me te lidhet çlirimi i Kosovës në vitin 1999, sikurse me një tjetër President amerikan (George W. Bush), lidhet pavarësia e Kosovës, vlen jo vetëm në diplomaci, por edhe në politikën e brendshme të secilit shtet demokratik, më në fund, nuk ka si të mos vlejë edhe për raportet brenda një familjeje dhe në mes të njerëzve veç e veç.
Besimi është themel i demokracisë. Pa te, këto themele lëkunden dhe dëmtohen. Pa te, nuk ka kohezion shoqëror. Nuk ka stabilitet të një shteti.
E kur këto ndodhin, qoftë edhe në një formë më pak të rrezikshme, atëherë nisë edhe tatëpjeta ekonomike dhe sociale, e cila pastaj përshpejton thellimin e krizës në një shoqëri, në një vend. E cila më në fund, mund të kontestojë gjithçka. Dhe çdo kë.
Nuk mund ende ta shohim veten, si shoqëri, si politikë, brenda këtij përshkrimi i cili është një ‘Hartë rrugore’ kur nisin të ndodhin, një pas një, ngjarje dhe dukuri të cilat janë kambana alarmi për një popull.
Mbase, edhe nëse i afrohemi këtij rrugëtimi të rrezikshëm dhe kob ndjellës, nuk do të jemi në gjendje të kuptojmë se sa të rrezikuar jemi. Dhe atë, prej vetvetes. Çfarë paradoksi për ne, kur dihet që e gjithë historia e re e jona, deri aje në verën e vitit 1999, ka njohur kërcënimin jetik për ne të gjithë, i cili vinte nga një shtet tjetër (nga Serbia).
Në fund, këtu mund të thuhet që besimi shumë vështirë ndërtohet, e fare lehtë humbet.
Si në raportet personale, ashtu edhe në ato që kanë të bëjnë me shtetin.
Kosova si shtet gjithmonë do të jetë fati i jonë kolektiv dhe ai fati i secilit prej nesh.
Këtë kurrë nuk duhet ta harrojmë.